Dinamo luan futboll Shkumbini e Besa e mbyllin në barazim
Dinamo e Bylis i kanë dhënë jetë dje një 90 minutëshi të luftuar e plot jetë, pasi të dyja skuadrat dëshironin të arrinin te fitorja. Blutë do t’i shkëputeshin kështu zonës së ftohtë, ndërsa ballshiotët do të arrinin të kapërcenin në renditje disa ekipe dhe do të ishin pretendentë për të qëndruar të paktën dhe 1 sezon në superligë. Skuadra e Artan Mërgjyshit dje ka bërë diçka të rrallë për të në këtë fundsezoni: ka luftuar për të marrë maksimumin ndaj kundërshtarit dhe Bylis nuk ka arritur do ta kthejë sfidën e “Qemal Stafës” në një shëtitje. 45 minutat e para kanë qenë tepër të zjarrta dhe të dyja skuadrat kanë kërkuar portat e njëra-tjetrës, por pa arritur të shënojnë. Megjithatë, në pjesën e dytë situata do të ndryshojë, kur Bylis do ta shohë veten në avantazh në minutën e 65-të. Nga zhvillimet e një goditje këndi, Oriand Abazaj do të shfrytëzojë më së miri një hutim të mbrojtjes vendëse dhe do të arrijë të gjejë golin e avantazhit pas një goditje rrafsh me tokën, e cila mposht portiern Hoxha. Por Dinamo nuk lëshon pe dhe e hidhet e tëra në sulm. Emiljano Vila do të shpërdorojë disa topa të artë përpara se të gjejë golin e barazimit në minutën e 89-të, barazim që u lejon të dyja ekipeve të ndajnë nga një pikë.
Në Pogradec shënohen 4 gola në 12 minuta
Me fushën e pezulluar për katër ndeshje, Shkumbini kishte gjetur strehim në Pogradec dhe aty ka zhvilluar ndeshjen e radhës kundër Besës, një përballje kjo me vlera jetësore për të dyja formacionet. Megjithatë, ishte një sfidë ku ia vlen të komentohen vetëm 12 minuta dhe më konkretisht ato nga e 55-ta në të 67-ën, kur janë shënuar dhe të 4 golat e takimit, nga dy për çdo skuadër. Në fakt, u duk se peqinasit arritën të fusnin në xhep fitoren, teksa realizuan dy gola të shpejtë. Në fillim ka qenë Grboviç që ka gjetur rrugën e rrjetën duke u dhënë avantazhin minimal peqinasve në të 55-ën dhe, 3 minuta më pas u duk se Mustafaj i vulosi përfudimisht fatet e takimit. Por kur skuadra Miles fillon të flejë mbi dafina, ka ardhur dhe kundërpërgjigjia e kavajasve. Verdhezinjtë në fillim do të shkurtojnë diferencat falë golit të Fatjon Sefës në të 61-ën, dhe 6 minuta më pas do të jetë një “ish”, Arlind Nora, që do të vulosë shifrat 2-2 pasi ekzekuton saktë një 11 metrësh. Pas këtyre rezultateve, Shkumbin ngjitet nhë kuotën e 36 pikëve, ndërsa Besa barazon Kastriotin me 33 pikë, por krutanët do ta luajnë sot përballjen e tyre me Teutën, një tjetër sfidë mbijetese kjo.
Superliga – Java 30-të
Dje
Shkumbini – Besa 2-2
Dinamo – Bylis 1-1
Sot
Kastrioti – Teuta 14:00
Laçi – Flamurtari 16:30
Tirana – Skënderbeu 16:30
Vllaznia – Elbasani 16:30
Renditja
Skuadra N F B H Gol P
1) Skënderbeu 29 20 4 5 47-22 64
2) Flamurtari 29 20 2 7 58-22 62
3) Vllaznia 29 15 8 6 35-21 53
4) Tirana 29 11 11 7 39-23 44
5) Laçi 29 13 4 11 38-35 43
6) Dinamo 30 10 8 12 43-45 38
7) Shkumbini 30 10 6 14 38-49 36
8) Teuta 29 9 8 12 31-34 35
9) Bylis 30 10 4 16 39-48 34
10) Kastrioti 29 8 9 12 30-40 33
11) Besa 30 8 9 13 29-42 33
12) Elbasani 29 4 3 22 27-71 12
Salihi: Më inteson ekipi, jo kurora e goleadorit
Ka shënuar dy gola në ndeshjen e fundit me Rapidin e tij dhe ka marrë vendin e parë si golashënuesi më i mirë i kampionatit austriak. Megjithatë, Hamdi Salihi modestisht tregon se nuk i intereson shumë vendi i parë në listën e golashënuesve, por sukseset e skuadrës së tij. "Kur arbitri sinjalizon një gol, do të thotë se realizohet një një objektiv dhe unë jam i kënaqur. Është apo jo pozicion jashtëloje, kur fitohet humori është i mirë. Mendoj se ne jemi në rrugën e duhur dhe duhet ta vazhdojmë atë. Qëllimi im është që të fitojë ekipi, ndërsa për kurorën e golashënuesit do të mendoj më vonë”.