Tirana në kor: Nuk luajmë me fanellën
Presidenti dhe lojtarët janë në një mendje: Kundër Skënderbeut do të luhet futboll!
Tirana është shndërruar në ekipin që mund të përcaktojë shumë përsa i përket ecurisë së Flamurtarit dhe Skënderbeut. Pas akuzave të shumta mes palëve për tolerim apo shitje ndeshjes, presidenti-sponsor i bardhebluve ngre zërin në lidhje me këtë çështje dhe premon ndershmëri nga Tirana, pasi, 24 herë kampionët nuk mund të luajnë kurrë me fanellën e tyre. Madje, Halili “vetëpërjashtohet” nga ndonjë marrëveshje nën rrogoz, duke deklaruar se nëse ndodh diçka e tillë, gisht do të kenë vetëm lojtarët. “U kam kujtuar lojtarëve se nuk do të marrin pagesat nëse nuk do të impenjohen maksimalisht. Përsa i përket ndeshjes me Skënderbeun, askush nuk ka të drejtë të luajë me fanellën. Nuk do të ketë asnjë tolerim. Mund të ketë njerëz që u ofrojnë lekë lojtarëve, por mua jo. Nuk do të tolerojmë jo vetëm ndaj Skënderbeut, por në të gjitha përballjet që na kanë mbetur deri në fund të kampionatit”, - tha Halili, qe i financon i vetëm 24 herë kampionët. Halili mohoi gjithashtu zërat se Flamurtari ka paguar Tiranën që të mundte Laçin (bardhblute fituan 4-0) dy javë më parë.
Por, lojtarët bardhebku duan të luajnë futboll të pastër dhe të mos zhgënjejnë tifozët e Tiranës. Ata janë në një mendje me presidentin Halili dhe, mendimin e grupit e trasmeton portieri Ilion Lika. “Presidenti ka të drejtë kur deklaron se fanella e Tiranës nuk shitet. Ne do të bëjmë çmos për të respektuar kampionatin dhe për të nderuar fanellën,” komenton Ilion Lika, që më pas shton se bardheblutë janë të motivuar për të fituar dhe për ta mbyllur kampionatin në mënyrën më të mirë të mundeshme si dhe të çojnë lart Kupën e Shqipërisë. “Ne duam të ngjitemi sa më lart në klasifikim dhe të grumbullojmë maksimumin e pikëve të mundshme në këtë moment. Kjo përsa i takon kampionatit, pasi në Kupën e Shqipërisë është e qartë se duam të jemi triumfuesit dhe ta ngremë trofeun lart!” ka përfunduar gardiani bardheblu, Ilion Lika.