Ledina Çelo bëhet nënë,Vjen në jetë Erlisi!
Këngëtarja Ledina Çelo ka përjetuar pak ditë më parë një gëzim të pamasë, atë të kënaqësisë së sjelljes në jetë të një foshnjeje, të cilën e ka mbajtur në krahë më 17 prill. Mësohet se bebi është një djalë i shëndetshëm, i cili është pagëzuar nga prindërit e tij me emrin Erlis. Të dy janë në gjendje të mirë shëndetësore. Këngëtarja 34-vjeçare, për të cilën ju kemi informuar më parë se priste një fëmijë, ka kryer lindjen në Gjermani, ku edhe jeton prej disa kohësh me bashkëshortin e saj, ish-kampionin e kik-boksit, Naim Kabashi. Çifti që është gëzuar me fëmijën e parë, ka marrë pa fund urime nga të afërm, miq e kolegë, shumë prej të cilëve, për shkak të largësisë, kanë preferuar t’i dërgojnë përshëndetjet e tyre përmes Facebook-ut. Këngëtarja u ishte larguar prej disa kohësh angazhimeve muzikore, gjë që është e natyrshme në gjendjen e një femre shtatzënë, por është shprehur se do t’i rikthehet shumë shpejt muzikës dhe planeve që ka lënë përgjysmë për shkak të realizimit të saj si femër dhe nënë. Familja që është plotësuar me ardhjen e vogëlushit Erlis, me siguri do të banojë në Gjermani, ku Naim Kabashi ka një kompani sigurimi, që angazhohet kryesisht me sigurimin e yjeve botërore që performojnë nëpër diskotekat e mëdha gjermane dhe shqiptare që operojnë në territorin e Gjermanisë.