E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, në planin e dytë

Mediat kroate e shohin sulmuesin kosovar, Fatos Beqiraj, vetëm një hap larg transferimit nga klubi malazez, Buduçnost te gjiganti kroat, Dinamo Zagreb.

Mirëpo menaxheri i ish-futbollistit të Besës nga Peja, Pegja Joviçeviç nuk mendon kështu. Ai tregon se klubi nga stadiumi Maksimir mbetet në plan të dytë për sulmuesin e rrezikshëm.

“Është e vërtetë se Dinamoja dëshiron ta transferojë Fatosin. Mirëpo ne nuk jemi të interesuar për Dianmon”, ka thënë Joviçeviç për Express.

Menaxheri malazez synon që klientin e tij ta transferojë në ndonjë ligë më të fortë sesa ajo e Kroacisë. Sipas Joviçeviçit, futbolli spanjoll ende mbetet opsion për transferimin e kosovarit, ku interesim për të kishte shprehur Valencia.

“Unë po shikoj që Fatosin ta transferojmë te ndonjë klub spanjoll. Mirëpo për këtë duhet pritur edhe pak, derisa klubet të shesin të drejtat televizive, me çka do të inkasojnë para dhe pas kësaj të shikojmë mundësitë”, ka theksuar ai.

Sipas Joviçeviçit, opsioni për transferimin e sulmuesit pejan në Itali, ku interesim kishte shprehur Udinese, ka rënë për arsye të rregullave të reja që ka qitur Federata e Futbollit italian.

“Italia ka rënë nga kombinimi. Rregulla e re në futbollit italian nuk u lejon klubeve që të kenë më shumë sesa një futbollist që vjen nga një shtet që nuk është anëtar i Bashkimit Evropian”, u shpreh agjenti i Beqirajt.

Klubet nisin bisedimet

Ndërkohë, Fatos Beqiraj ka konfirmuar se drejtuesit e klubit malazez, Buduçnost dhe ata të Dinamos kanë filluar negociatat për transferimin e tij në kryeqytetin kroat, Zagreb.

“Klubet kanë nisur bisedimet dhe tash po presim. Por menaxheri im më ka thënë se të interesuara janë edhe disa klube nga Spanja”, ka thënë Beqiraj për Express të hënën.

Ai në vitin 2007 nga Besa e Pejës është transferuar në Buduçnost. Anëtari i përfaqësueses së Malit të Zi me klubin nga Podgorica ka zhvilluar mbi 90 ndeshje, derisa ka arritur të realizojë rreth 50 gola.

Me paraqitjet e shkëlqyeshme në futbollin malazez dhe garat ndërkombëtare, Beqiraj është bërë objektiv i disa klubeve të mëdha evropiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›