Dinamo "ngec" në baltën e Peqinit
Ajo të cilës Shkëlqim Muça i trembej ka ndodhur. "Me Shkumbinin nuk do të jetë e lehtë prej baltës", ishte deklarata e trajnerit përpara ndeshjes. Një parashikim që është realizuar 100 për qind. Dinamo ka pësuar humbjen e parë sezonale në Peqin, pasi është shpartalluar 4-0. Pa hedhur poshtë meritat e vendasve, disfata e kryesuesve të kampionatit ka ardhur për shkak të terrenit skandaloz ku është zhvilluar ndeshja. Në fushën e mbushur me baltë, as që nuk mund të flitej për një përballje normale futbolli dhe për asnjë moment blutë nuk kanë arritur të shfaqin potencialin e tyre të vërtetë. Një situatë e krijuar nga kushtet atmosferike (absolutisht të pakontrollueshme), por që u ka shkuar për shtat vendasve, të cilët marrin tri pikë mjaft të rëndësishme në debutimin e Përparim Daiut në krye të stolit. Takimi është zhbllokuar vetëm pas 11 minutave me Sekserin, i cili e ka dërguar topin pas shpinës së Kotorrit. Në të 22-n protagonist është bërë sulmuesi i talentuar, Mustafai, i cili ka "dehur" Malakarnen, duke e detyruar mbrojtësin dinamovit që t‘i shkaktonte faull brenda zonës. Gjyqtari Albano Janku nuk ka pasur dyshime dhe ka drejtuar gishtin nga pika e bardhë: penalltia është ekzekutuar nga Çaushaj, i cili ka dyfishuar rezultatin. Në të 33-n ka ardhur edhe episodi që praktikisht mbylli ndeshjen dhe detyroi Dinamon të pranonte humbjen: Bekim Kuli ndërhyn ashpër në mesfushë dhe largohet nga loja me karton të kuq. Inferioriteti numerik dhe terreni që me kalimin e minutave rëndohej gjithmonë e më shumë, "vulosën" ndalesën e parë të skuadrës që dukej e pandalshme në rrugën drejt titullit kampion. Muça tenton të ndërhyjë në pjesën e dytë, për të provuar që të ndryshojë rrjedhën e lojës. Ai largon Bakajn dhe Malakarnen, të cilët i lënë vendin Plakut dhe Xhafës, por as kjo lëvizje nuk jep rezultatet e dëshiruara: peqinasit kanë shënuar edhe dy herë të tjera me Bakiun (59) dhe Gjoreskin (79). Fërshëllima finale ka ardhur si shpëtimi prej një makthi, ku mbetet për t‘u theksuar shpërfytyrimi i kryeqytetasve, që nuk mund të justifikohet vetëm me kushtet e vështira në të cilat u zhvillua ndeshja.
Flamurtari më në fund rikthehet te fitorja pas nëntë javësh "agjërim". Kuqezinjtë e Gugash Maganit fituan 2-0 me Gramozin (skuadrën nga e cila vetëm 10 ditë më parë ishte eliminuar nga Kupa, pas barazimit 1-1 në Vlorë), falë golave të Flavio Zhunjor me penallti në të 10-n dhe Djukiç vetëm nëntë minuta përpara mbylljes së kohës së rregullt. Vlonjatët, që në kampionat nuk fitonin prej 4 tetorit, kishin regjistruar 4 humbje dhe 5 barazime. Laçi merr tri pikë mjaft të rëndësishme në shtëpi kundër Kastriotit: skuadra e Nicës fitoi 1-0 me golin e Brahjes në minutën e 14-të dhe ngjitet në vendin e shtatë në klasifikim.