E Shtunë, 31 Tetor 2026

KUR BERISHA PRANON SE KA PASUR VJEDHJE TE VOTAVE

Eshtë vetë Kryeministri Berisha që ndërsa kundërshton me kokëfortësi kërkesën e opozitës për hapjen e kutive, ka pranuar se në procesin e numërimit ka pasur vjedhje të votave. Në një deklarim të para pak ditëve, Berisha i pohoi seksionit shqip të BBC-së se po të hapeshin kutitë partia e tij do të fitonte edhe një tjetër mandat. "Jam i sigurt se, në qoftë se hapen kutitë dhe rinumërohen (votat), unë do të fitoja një mandat në Fier, por nuk më lejon mua, nuk ka ndodhur kurrë, që politikisht të shqyrtohet një vendim gjykate" - tha Kryeministri. A nuk është ky një pretendim se PD-së i janë grabitur votat dhe pra edhe një pohim se ka pasur vjedhje votash? Në pamje të parë duket sikur kemi të bëjmë me një vetësakrifikim të Berishës për hatër të ligjit dhe sistemit. Duket sikur ai refuzon të fitojë një mandat që pohon se i është marrë me të padrejtë në Fier vetëm që të mos shkelet vendimi i Kolegjit Zgjedhor. Çfarë kalorësie e pa parë politike, çfarë sakrifikimi i interesave të ngushta të partisë dhe Berishës vetë, për hatër të respektimit të një vendimi gjykate! Por po të përpiqesh të depërtosh pak më thellë problemit do të kuptosh se nuk është Berisha që po sakrifikohet për sistemin dhe ligjin, por se janë sistemi dhe ligji që po sakrifikohen për Berishën. Gjëja e parë që të bie në sy është ndarja e ligjit nga e drejta. Berisha pohon se i është mohuar një mandat në Fier dhe të cilin mund ta fitonte vetëm nëpërmjet hapjes së kutive, por se është ligji që nuk e lejon një gjë të tillë. Po ç‘na qenka ky ligj që pengoka rivendosjen e së drejtës dhe a është normale kjo? Si është e mundur që parimi i shenjtë i ndarjes së pushteteve dhe i pavarësisë së gjykatave, të pengojë për të korrigjuar një padrejtësi, qoftë edhe kur i bëhet PD-së dhe Berishës? Si është e mundur që Berisha, që s‘ka lënë gur pa hedhur mbi gjykatat për hir të pushtetit, po sakrifikon sot një mandat, pra pushtet, për hir të pavarësisë së gjykatave? Të gjitha këto janë paradokse që mund të shpjegohen vetëm me një gjë: me kapjen nga Berisha të asaj gjykate, vendimin e së cilës e shpall sot të shenjtë e të paprekshëm.

***
Do ta shqyrtojmë problemin jo nga kampi i opozitës, por nga ai i pushtetit, jo nga e drejta e mohuar e opozitës, por nga supozimi i së drejtës së mohuar të pushtetit që sapo u pohua nga Kryeministri. Shqiptarëve nuk i duhet një sistem ligjor dhe as vendime gjykatash që mbrojnë padrejtësinë. Ka pak rëndësi nëse ai që e vuan këtë padrejtësi proteston apo jo, e pranon apo jo, e vuan apo jo. Europiane dhe demokratike është që vetë sistemi, ligji, vendimet e gjykatave të mos sanksionojnë padrejtësinë, në këtë rast vjedhjen e votës dhe të mandateve të dhëna nga elektorati, duan apo nuk duan politikanët, e tolerojnë apo jo ata. Kjo do të thotë që vullneti politik të mos dalë mbi ligjin, gjë që, ashtu sikundër ka pohuar Berisha, është me të vërtetë një gjë shumë ogurzezë për demokracinë. Por kur krijohet një sistem "drejtësie" që, i telekomanduar në prapaskenë nga politika, nuk jep drejtësi, kur gjykatat nuk shërbejnë për të dhënë drejtësi, por si lavatriçe të pastrimit të padrejtësisë me vendime gjykatash, kjo është një gjë edhe më ogurzezë për sistemin e lirisë, të drejtësisë dhe demokracisë. Kjo do të thotë ta ngresh padrejtësinë në sistem, ta mbrosh padrejtësinë me vendime gjykatash pa i dhënë viktimës (në këtë rast opozitës) mundësi korrigjimi. Një gjë e tillë do të thotë ta pervertosh sistemin e drejtësisë duke e shndërruar në një kuplara, ku të gjithë ata që e përdhunojnë përditë e përnatë drejtësinë shiten më pas si protektorë të saj. Dhe janë protektorë, por të kurvërimit të drejtësisë. Pikërisht këtë, gjënë më ogurzezë, po përpiqet të bëjë Berisha, duke këmbëngulur në moshapjen e kutive, kinse i dhimbet pavarësia e gjykatave, pasi e ka përdhunuar këtë pavarësi. E gjithë loja, i gjithë skeçi politik i Berishës me gjoja mosdaljen mbi vendimin e gjykatave, ka në themel pikërisht mungesën e pavarësisë së gjykatave. Eshtë tallja e radhës e këtij mjeshtri të autokratizmit. Çfarë ka këtu për mos t‘u besuar? A nuk është ky problemi më i madh që ka sot Shqipëria, problem që përsëritet pa fund edhe në raportet e ndërkombëtarëve? Dhe a nuk janë, mbi të gjitha, njerëzit me pushtet të jashtëzakonshëm si Berisha rreziku permanent i pavarësisë së gjykatave?

***
Edhe këtë herë, ndonëse luan rolin sikur po sakrifikohet për pavarësinë e gjykatave, Berisha po viktimizon drejtësinë nëpërmjet kapjes që i ka bërë Kolegjit Zgjedhor. Eshtë thuajse evidente. Vendimi i Kolegjit për moshapjen e kutive është në përputhje të plotë me vullnetin politik të Berishës dhe në kundërshtim të hapur me nenin 138 të Kodit Zgjedhor që detyronte KQZ për rinumërim të votave të caktuara nëse këtë e kërkonin dy anëtarë të KQZ. Kolegji Zgjedhor, kjo gjykatë që duhej të ishte e paanshme, veproi në dhunim të hapur të ligjit simetrikisht me shumicën berishiste në KQZ. A mos është rastësi një simetri e tillë dhe a nuk është ai vendim gjykate një provë e qartë e asaj gjësë më ogurzezë, pra e vendosjes së vullnetit politik, në këtë rast të vullnetit të Berishës, mbi ligjin?
Pas 20 vjet tranzicion shqiptarëve nuk i duhet një sistem pa sistem, ku vullneti politik korrupton gjykata, juristë, prokurorë e kolegje, për t‘i përdorur si maska të padrejtësive dhe grabitjes së votës, pronës, punës dhe jetës. Shqiptarëve i duhet një sistem i pavarur gjykatash dhe drejtësie që i bëhet jo vegël, por pengesë epsheve të paligjshme dhe të padrejta të liderëve e pushteteve. Bëni vetëm këtë pyetje: po sikur Berisha të mos kish përfunduar dot marrëveshjen me Metën, a do ta kish toleruar humbjen e një mandati në Fier? Ose edhe më tej, po sikur të kish kaluar në opozitë, a do të toleronte humbjen me të padrejtë qoftë edhe të një mandati? S‘ka asnjë dyshim që do të kish tundur botën, do të kish bërë zhurmë shumë më tepër se opozita e sotme, madje flakë e zjarr do ta kish bërë dynjanë në emër të drejtësisë dhe vullnetit të popullit. Por shqiptarëve nuk i duhet një sistem ku ligji dhe gjykatat tolerojnë padrejtësinë dhe vjedhjen e votës, sepse kjo nuk i prishka punë liderit fitimtar. Një sistem i tillë përmban farën e grabitjes dhe padrejtësisë edhe sikur kjo e fundit, padrejtësia, t‘i jetë bërë vetëm partisë apo liderit fitues dhe jo opozitës. Por është e qartë se nuk është ky rasti i krizës së sotme politike. Kur thotë se toleron humbjen me të padrejtë në Fier të një mandati, Berisha bën një truk politik duke kundërshtuar transparencën që të çon tek e vërteta në emër të errësirës dhe mashtrimit. Nëse vërtet do ia kishin rrëmbyer një mandat në Fier, ai nuk do të ngurronte të hapte kutitë për të diskredituar kërkesat e opozitës dhe liderit të saj, Edi Rama. Dhe, duam s‘duam, do të kish qenë një akt i rivendosjes së drejtësisë. Por duket se kutitë e mbyllura fshehin më së shumti, vetëm padrejtësitë dhe grabitjen që i është bërë opozitës. Prandaj, edhe gjithë taktika e Berishës që përpiqet të konfliktojë transparencën me drejtësinë, rinumërimin e votave me gjykatën, ligjin me të drejtën, është pohimi se qeverisja e tij është themeluar mbi një padrejtësi dhe grabitje të errët që i trembet dritës së transparencës dhe të vërtetës që çon te drejtësia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›