Maskat grabisin në mes të ditës
Shfaqen në mes të ditës maskat në Ballsh. Ngjarja është shënuar në fshatin Hekal të rrethit Mallakastër rreth orës 10:00 të ditës së djeshme, në një rrugë dytësore.Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë kërcënuar me armë shtetasin A.E., drejtuesin e mjetit me targë AA 238 AL, duke i kërkuar të ndalej. Ky i fundit udhëtonte për në fshatin e tij me dy pasagjerë që i kishte miq të familjes, emigrantë. Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se tre personat kanë qenë poshtë një shkurreje buzë rrugës dhe, sapo kanë parë që mjeti hyri në kthesë, kanë dalë prej nga ishin fshehur dhe, duke bërtitur e kërcënuar se do ti vrisnin, u kanë kërkuar lekët. Mësohet se njëri prej pasagjerëve u ka thëne se do tu jepnin çfarëdo kishin, vetëm ti linin të qetë. Po sipas deponimit të tij, njëri prej autorëve ka thënë se u vinte keq që po bënin kështu, por buka e fëmijëve i detyronte të dilnin për të grabitur. Nuk ka pasur më tej asnjë shkëmbim fjalësh. Pasagjerët kanë nxjerrë lekët për tua dhënë grabitësve, të cilët në fund i kanë zbritur udhëtarët duke kontrolluar dhe vetë në brendësi të makinës. Ata kanë gjetur dhe marrë gjithsej një shumë prej 140 mijë lekësh. Na tërhoqën dhe na shtrinë përtokë. Na vunë armën në kokë, ndërsa na thanë të mos bënim zë, ka deklaruar pas ngjarjes Rustem Ereqi, njëri prej pasagjerëve. Pas kësaj, banorë të zonës të gjendur aty afër kanë shkuar pranë vendit të ngjarjes për të qetësuar të sulmuarit, ndërsa kanë lajmëruar edhe Policinë e Mallakastrës. Uniformat blu kanë nisur kërkimet duke e zgjeruar rrezen e kërkimit, por ende nuk ka asnjë të dhënë për autorët. Nga zëri, sipas dëshmisë së dhënë nga të grabiturit në polici, personi që ka folur dukej rreth 40 vjeç. Ata mendohet të jenë banorë të saj, pasi e njohin mirë terrenin dhe kanë mundur të largohej me shpejtësi, pa u pikasur nga policia. Policia ka deklaruar se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Dyshohet se ky grup realizonte herë pas herë grabitje, ndërsa po punohet me intensitet për të zbuluar autorët.
140 mije
lekë të rinj iu grabitën dje tre udhëtarëve që po afroheshin për në fshatin Hekal. Autorët u kanë zënë pritë me armë e maska, duke u rrëmbyer vetëm paratë që kishin me vete
Patrullat
Pas ngjarjes së djeshme, forca policie janë përqendruar në zonë, e cila lidh qytetin e Mallakastrës me fshatin Hekal. Për të shmangur përsëritjen e grabitjeve të tjera, uniformat blu po kryejnë patrulla, ndërsa po vazhdojnë hetimet për të identifikuar grabitësit, bazuar dhe në dëshmitë e tre personave të lënduar.
BALLSH/ MAJLINDA RAMA