Dinamo për hakmarrje në Vlorë

Humbjen e parë në kampionat Dinamos kryesuese ia ka shkaktuar pikërisht Flamurtari, kur dy skuadrat u përballën në kryeqytet në javën e 5-të. Vlonjatët fituan befasisht 1-0 me golin e vonshëm të 21-vjecarit Arlindo Rustemit (88').
CANAJ – Trajneri i njohur do të jetë për herë të parë në Vlorë përballë ish-skuadrës që e drejtoi për disa javë sezonin e kaluar. Emocionet e Agim Canajt pa asnjë dyshim përbëjnë edhe një pikë kulmore të takimit, aq më tepër kur do të përballet me shokun e tij, Eqerem Memushi, ndaj të cilit ka disa "hesape" për të larë.
ANSJË HUMBJE – Dinamo po ruan me fanatizëm një rekord sezonal, atë pa asnjë humbje në shtatë takimet e zhvilluara deri tani në transfertë, ku formacioni blu ka arritur pesë fitore dhe dy barazime. Blutë kanë filluar të ndjejnë fort presionin jo vetëm të Partizanit (me 2 pikë më pak), por dhe të kampiones në fuqi, Tiranës, që ndodhet tani në vendin e katërt me 6 pikë diferencë nga Dinamo. Detyra e tyre është e vështirë dhe një rezultat negativ do të rrezikonte jo pak pozitat e formacionit të presidentit Sulaj.
NJË HUMBJE - Skuadra e teknikut Agim Canaj mbërriti në Vlorë (të premten mbasdite) me synimin për të kompensuar tri pikët e humbura me skuadrën e Flamurtarit në Tiranë. Kuqezinjtë vlonjatë kanë një bilanc pozitiv në shtëpi, ku kanë pësuar vetëm një humbje me Elbasanin (0-1), ku golin e shënoi pikërisht Fjodor Xhafa, një ish-kampion me Dinamon. Katër fitore dhe dy barazime i bëjnë optimistë vlonjatët në shtëpi, teksa kanë fituar me Tiranën e Besën dhe kanë barazuar me Partizanin.
HERMETIKE - Dinamo rezulton skuadra me mbrojtjen më të mirë në kampionat: vetëm 5 gola të pësuar në 15 takime (1 gol në cdo 3 ndeshje). Flamurtari, nga ana e tij qartësisht duket se ka shumë probleme në prapavijë: 14 gola të shënaur dhe 14 të pësuar.
ALLMUCA – Ish-mesfushori i Partizanit dhe Tiranës, Igli Allmuca, pohon se skuadra e tij nuk i trembet Flamurtarit edhe pse takimi do të luhet në Vlorë. "Ne do të shkojmë për të bërë lojën tonë. Ndeshja është mjaft e vështirë dhe është një takim që i ka të treja rrezultatet brenda".
MUNGESAT- Te Flamurtari do të mungojë për shkak të kartonëve të verdhë Bledian Guga (dy gola në kampionat), ndërkohë që i dëmtuar është edhe Nevian Cani. Te Dinamo do të mungojë kroati Dario Bodrusic, i cili ndodhet në një formë shumë të mirë. Takimi Flamurtari-Dinamo do të gjykohet nga Tanush Latifi.
STATISTIKA- 111 ndeshje, 25 fitore Flamurtari, 26 barazime, 60 fitore Dinamo. Golat: 97-195.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 16
21 dhjetor
Flamurtari-Dinamo
T.Latifi, E.Doda-G.Maloku