Dinamo pret sot Mamurrasin, skuadrës i bashkohet Djarmati
Dje dinamovitët zhvilluan seancën e fundit stërvitore në prag të sfidës kundër Mamurrasit, ndërkohë që është rikthyer në skuadër kroati Matko Djarmati
Blutë e kryeqytetit kanë vazhduar përgatitjet për sfidën që do të zhvillohet sot kundër Mamurrasit në stadiumin Selman Stërmasi. Në seancën e fundit stërvitore është vënë re edhe prezenca e kroatit Matko Djarmati, i cili duket se është rikthyer te skuadra që u aktivizua vitin e kaluar në Superligë.
Mendohet se ai ka nënshkruar një kontratë 1 vjeçare me klubin e Dinamos, por kjo gjë nuk është konfirmuar ende. Por e rëndësishme është që ai do të jetë pjesë e ekipit për sezonin e ardhshëm dhe do të ketë mundësi për të kontribuar në arritjen e objektivit kryesor, atë të ngjitjes në Superligë.
Eksperienca e tij dhe fakti që ai e njeh mjaft mirë ambientin e Dinamos është mjaft pozitive për të. Për Djarmatin kishte ditë që flitej për një rikthim të mundshëm të tij te blutë e kryeqytetit, por vetëm dje është bërë e mundur dalja e tij e parë në stërvitje me skuadrën që do të përfaqësohet këtë edicion futbollistik. Edhe pse Dinamo nuk është në Superligë, përsëri dëshira e tij ka qenë të vazhdojë të luajë për këtë ekip.
Nuk dihet ende nëse ai do të jetë në formacionin bazë ditën e hënë në takimin e parë zyrtar të Dinamos për këtë kampionat, por me kroatin në përbërje të kontingjentit aktual trajneri Zhupa do të ketë një alternativë më shumë cilësore për ta përdorur në sfidat e këtij kampionati.
Ndërkohë mësohet se Dinamos i është kërkuar të bëjë rregullisht seancat stërvitore, duke mos bërë pushim. Kjo pasi nga ana e stafit teknik kërkohet që skuadra të jetë sa më e karrikuar për ndeshjen kundër Mamurrasit, ku kërkohet vetëm marrja e tri pikëve.
