Partizani e nis me fitore, Ada konteston dhe akuzon zyrtarët e ndeshjes
Goli i Florian Brahos i jep tripikëshin e parë të kuqve të kryeqytetit, të cilët nga Velipoja nisin misionin, rikthim në superligë
Nga GJERGJ KOLA
Ada- Partizani 0-1
Shënues: Braho 61
Ada: Dervishi, Ed. Doçi, Tota, Ferlushka (El. Doçi 65), Isufi, Mujeci (Zefi 76), Jacaj (Nika 59), Çoba, Pllumaj, Erkoçeviç, Puka. Trajner: S. Nikaj
Partizani: Pavlloviç, Duqi, Hithi, Shala (Xaka 46), Pashaj, Roshi, Lini, Tafa, Braho (Djepaxhia 88), Karakaçi, Buliq (Gjoka 76). Trajner: N. Çoçlli
Gjyqtarë: S. Greca, M. Qose, E. Malo (Lushnjë)
Kartona të verdhë: Puka/ Pavlloviç, Shala, Lini, Buliq, Djepaxhia
Partizani e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme Kategorinë e parë, pasi ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në fushën e vështirë të Adës. Takim është kontestuar nga drejtuesit dhe futbollistët e Adës për gjykimin e njëanshëm të kryesorit Greca. Të kuqtë nuk kanë bindur shumë në këtë takim, por janë treguar më racionalë dhe në 2-3 raste që kanë krijuar gjatë gjithë ndeshjes, kanë arritur të shënojnë një gol të rëndësishëm me anë të Brahos. Në Velipojë pasditen e djeshme ka pasur festë. Vinte Partizani, një emër i madh i futbollit shqiptar dhe për më tepër, ishte ndeshja e parë e kampionatit. Loja ka filluar më e mirë për vendasit. Erkoçeviç në minutën e 15-të gjuan fort dhe pret portieri Pavlloviç. Më pas është rasti i Jacajt, por jashtë. Partizani nuk ndihet në fushë, ndërkohë që Mujeci në minutën e 44-të duhet të shënonte, finalizimi ishte i pakuptimtë. Në pjesën e dytë kemi një zgjim të miqve. Sinjalin e parë e jep Braho në minutën e 49-të, topi godet traversën. Një minutë më vonë provon Tafa dhe pret Dervishaj. Partizani kontrollon mesfushën dhe në minutën e 61-të vjen goli. Lini ka depërtuar nga e djathta dhe fut një top në zonë për Brahon, që vjen nga krahu tjetër dhe i lirë brenda zone, godet saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetë, 0-1 Ada nuk pajtohet me këtë gol. Në fushë hyn edhe Nika që i jep impuls lojës sulmuese. Në minutën e 63-të Puka i vetëm përballë portierit Pavlloviç kërkon ta shmangë atë, por ndërpritet në mënyrë të parregullt prej tij. Të gjithë presin 11-metërsh, por gjyqtari i takimit nuk mendon kështu duke sjellë tension në fushë, tension i cili në mënyrë të çuditshme përfshin edhe ndonjë futbollist të Partizanit. Në fushë tashmë është vetëm Ada. Presioni i saj rritet, por velipojakë nuk janë të qetë para porte. Erkoçeviç, Nika e Doçi provojnë në të gjitha mënyrat por goli nuk del në dritë.
Thanë pas ndeshjes:
Samuel Nikaj, trajner i Adës: Jam shumë i irrituar nga gjykimi i ndeshjes. Nuk ka pse të ndodhë që në javën e parë të kampionatit. Shala falet që në pjesën e parë nga gjyqtari, sepse duhej të merrte kartonin e dytë të verdhë. Në pjesën e dytë, nuk na jepet një penallti dhe karton i kuq për portierin e Partizanit. Nëse në federatë e kanë vendosur se kush duhet ti fitojë ndeshjet, të na tregojnë që të mos lodhemi kot. Ky nuk është futbolli që ne presim
Nikolin Çoçlli, trajner i Partizanit: Një trepikësh shumë i rëndësishëm për ne, që e arritëm ndaj një kundërshtari shumë të fortë si Ada. Sigurisht që nuk jemi aty ky duhet, sepse kemi kaluar jo pak peripeci gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, ditët e fundit gjërat janë rregulluar thuajse të gjitha dhe pres që nga ndeshja në ndeshje të rritemi , pasi i kemi mundësitë dhe lojtarët e duhur. Ky trepikësh në javën e parë do na ndihmojë shumë për të ardhmen.
Të ve]anta
-Fillimi ka qenë festin, pasi ishin rezervuar tufa me lule për futbollistët, që u janë dhuruar nga fëmijët. Shkelmimi i parë i topit të këtij kampionati është bërë nga ish-futbollisti i Adës, sot drejtori teknik i saj, Elvis Plori.
-Partizani nga ana e tij ka ardhur në Velipojë me staf të kompletuar, ku i pranishëm ishte drejtori i përgjithshëm të klubit Gjergji Thaka, drejtori teknik Petrit Haxhia, si dhe aksionari i të kuqve, Paro Laçi.
- Bashkë me skuadrën dhe stafin teknik të kryeqytetasve në Velipojë ishin edhe rreth 100 tifozë të kuq, që e kanë mbështetur fuqimisht skuadrën e tyre gjatë gjithë takimit.
Klubi Ada: Mund të bojkotojmë kampionatin
Klubi i futbollit Ada është shumë i indinjuar me ato çfarë ndodhën në ndeshjen ndaj Partizanit. Problemet kanë nisur që në fillim të takimit kur i deleguari i FSHF-së Nikolin Lorenci bëri një terror tek të gjithë të pranishmit duke tentuar të prishte atmosferën e festës që ne kishim përgatitur me rastin e hapjes së kampionatit. Më pas, kur në prisnim të fillonte ndeshja, konstatuam se gjyqtarët po prisnin drejtuesit e Partizanit për të sjellë kartelat e federimit të futbollistëve dhe për çudi z. Paro Laçi sjell vetëm një letër- bakalli me emrat e të gjithë futbollistëve, por jo me kartelat e federimit. Që këtu konstatuam se vetë federata ishte bërë palë me Partizanin, ose më mirë të themi ndonjë drejtues i saj. Është e pakuptimtë që FSHF lejon një skuadër futbolli të marrë pjesë në kampionat pa pasur asnjë kartelë federimi. Këtu mbaron rregulli i barazisë për të gjithë ekipet. Kjo mosbarazi u shfaq edhe në fusha nga gjyqtari i takimit. Ai duhej të kishte nxjerrë nga fusha mbrojtësin Shala që në minutën e 40-të me kartonin e dytë të verdhë por e fali dhe nga kjo përfitoi trajneri i Partizanit që e largoi menjëherë nga fusha lojtarin. Po ashtu, në pjesën e dytë, gjyqtari duhej të jepte një 11-metërsh dhe karton të kuq për portierin e Partizanit, por nuk jep as njërën dhe as tjetrën. Këtu dallohet qartë se dikush nga federata i kishte porositur gjyqtarët për të ndihmuar Partizanin. Në kushte të tilla, ndonëse është java e parë e kampionatit, nuk është çudi që ta bojkotojmë atë. Përderisa vetë federata i ka përcaktuar ekipet që do ndihmojë, ata që do dalin në Superligë dhe ata që do bien. Ditët e ardhshme do ketë një tjetër mbledhje të kryesisë së klubit për të marrë vendimin përfundimtar për të ardhmen e Adës
Drejtori Haxhia: Kjo fitore vlen shumë për Partizanin
Kjo fitore ka shumë vlera për Partizanin, sepse nuk ishte e lehtë të mundje Adën, që konsiderohet Vllaznia B. Sigurisht që nuk ishte ndeshja më e mirë për skuadrën tonë, por mendoj se loja do vijë duke u rritur. Z. Paro Laçi ka bërë një punë shumë të mirë për ti krijuar të gjitha kushtet e duhura për stërvitje skuadrës, ndërkohë që trajneri Çoçlli dhe stafi i tij kanë bërë më të mirën. Kam shumë besim se ky Partizan do rritet nga java në javë dhe e rëndësishme ishte ta nisnim me fitore, sepse oreksi pastaj do vijë duke u rritur.
Tension në Velipojë. Akuza për arbitrimin dhe federatën
Ndeshja është shoqëruar me momente tensioni, që nisën që në minutën e 63-të. Në fundin e ndeshjes, drejtuesit vendas dhe futbollistët e kësaj skuadre kanë dashur të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj gjyqtarëve dhe sigurisht që nuk kanë munguar as ofendimet ndaj tyre. Nuk munguan edhe tentativat e ndonjë tifozi, që mundohet të hyjë në fushë,. Në lojë kanë hyrë forcat e rendit, që kanë vendosur qetësinë, por drejtuesit e Adës kanë nxjerrë pretendimin e tyre ndaj të deleguarve të federatës për federimin e futbollistëve të Partizanit. Për rrjedhojë, delegati Lorenci, vëzhguesi Allkja dhe gjyqtari i katërt Guçe kanë thirrur në fund të ndeshjes në mesin e fushës të gjithë futbollistët e Partizanit. Ata kanë paraqitur vetëm pasaportat e tyre, që korespondonin me emrat, që kishin në një letër format, që mesa duket kishte vulën e FSHF-së. Kartela federimi nuk ka patur për asnjë futbollist. Megjithatë, në fund ka një përfaqësim mes dy drejtuesve të Adës, Pjetri e Matia me drejtori
