Elbasani, stafi vlerëson të rinjtë që bindën në fitoren ndaj Luftëtarit
Skuadra e Elbasanit e ka nisur me fitore këtë sezon të ri futbollistik duke bindur kështu të gjithë skeptikët që e konsideronin një skuadër jo pretendente për tu ngjitur në Superligë. Verdheblutë kanë treguar edhe njëherë se kanë një fanellë të rëndë dhe se këtë sezon do të jenë një skuadër që do të synojë edhe vendin e parë në renditje.
Pavarësisht se nuk ka luajtur në maksimumin e saj në ndeshjen ndaj Naftëtarit, skuadra nuk e kishte të vështirë dominimin e ndeshjes duke e fituar me rezultatin e pastër 2-0. Elbasani tregoi qartë forcën e tij edhe pse pa u sforcuar shumë, e cila tregon edhe formën e mirë që po kalojnë lojtarët verdheblu. Nisja me fitore është një gjë që e ngroh shumë stafin teknik dhe skuadrën, duke i dhënë moral për ndeshjet në vazhdim.
Me paraqitjen e fundit, Elbasani tregoi se do të jetë midis pretendentëve. Një tjetër gjë pozitive është edhe forma e mirë që kanë treguar lojtarët e afruar në këtë merkato, ku sulmuesi Okoronko ka qënë protagonist kryesor i ndeshjes me dopietën e tij, duke treguar edhe njëherë, një merkato cilësore të kryer nga presidenti Laze.
Nisja me një fitore të pastër ka bërë që tashmë verdheblutë të cilësohet pa frikë një nga pretendentët kryesorë për rikthimin në Superligë, pasi kjo gjë është synimi i vetëm që ka Elbasani. Gjithashtu stafi teknik ka folur me superlativa për disa nga lojtarët e rinj që u aktivizuan në ndeshjen e djeshme, duke u shprehur se ata do të jenë një ndihmesë për skuadrën gjatë këtij sezoni.
Duke marrë parasysh që në ndeshjen e së shtunës ekipi verdheblu kishte dy mungesa kryesore në skuadër, atë të mesfushorit, ku mungonte Dalipi dhe mbrojtësit Sunday, mungesa që nuk ndikuan aspak në lojën e ekipit. Pritet që në ndeshjen e rradhës të dy lojtarët të jenë nën urdhërat e stafit teknik, ku ekipi i Elbasanit do të luftojë vetëm për fitore në çdo ndeshje.
