Dinamo s’vjen në Kosovë
(E plotësuar) Ndeshja miqësore ndërmjet përzgjedhjes së Superligës së Kosovës dhe Dinamos së Zagrebit – e paraparë për t’u zhvilluar më 19 shkurt në Prishtinë për nder të përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës – është anuluar.
Në fakt, gjiganti kroat nuk ishte i gatshëm për të zbarkuar në Mitrovicë, pasi është njoftuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) se stadiumi i Prishtinës nuk i plotëson kushtet për ta zhvilluar takimin e paralajmëruar.
“Pas njoftimit të sekretarit të FFK-së, Eroll Salihut, se nuk ekzistojnë kushtet teknike që ndeshja e paralajmëruar miqësore ndërmjet Dinamos dhe përzgjedhjes së Superligës së Kosovës, që më 19 shkurt të zhvillohet në Prishtinë dhe se e njëjta mund të luhet në Mitrovicë, menaxhmenti i Dinamos ka vendosur të anulojë udhëtimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Dinamos, të postuar në ueb faqen zyrtare të klubit.
Më tej, në këtë njoftim thuhet se klubit kroat nuk i ka konvenuar udhëtimi drejt qytetit të Mitrovicës, për ta zhvilluar ndeshjen në stadiumin olimpik të këtij qyteti.
“Futbollistëve dhe trajnerëve të Dinamos nuk i përshtatet që ndeshja të zhvillohet në Mitrovicë, për shkak të udhëtimit shtesë që në këtë fazë të përgatitjeve do t’i sillte vështirësi dhe angazhime shtesë”, theksohet në këtë kumtesë të Dinamos.
Megjithatë, zyrtarët e këtij klubi e kanë falënderuar FFK-në për ftesën, duke premtuar se skuadra e tyre do të zbarkojë në kryeqytetin kosovar posa të përmirësohen kushtet teknike në stadiumin e Prishtinës.
Ndërsa, edhe zyrtarët e FFK-së kanë shprehur keqardhjen e tyre për faktin që kjo ndeshje, e paralajmëruar për t’u zhvilluar më 19 shkurt, u anulua.
“FFK-ja e ka inspektuar stadiumin e Prishtinës dhe ka konstatuar se ky stadium nuk i plotëson kushte për ta zhvilluar atë takim. E kemi njoftuar Dinamon dhe i kemi ftuar që ndeshjen miqësore ta zhvillojmë në Mitrovicë. Por, Dinamo nuk ka qenë e gatshme ta zhvillojë ndeshjen në Mitrovicë për disa arsye”, deklaroi për Express sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
Sipas tij, njëra prej arsyeve që kroatët nuk kanë pranuar të zbarkojnë në Mitrovicë mund të jetë edhe fakti se që nga paslufta situata ndëretnike në këtë qytet mbetet e tensionuar.
Ndërkohë, gjatë gjithë ditës së enjte, Serbia ishte e shokuar me faktin se Dinamo e Zagrebit kishte pranuar ta zhvillonte miqësoren në Kosovë më 19 shkurt.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Toma Nikoliç, dhe sekretari i saj, Zoran Lakoviç, veç kishin deklaruar se nëpërmjet UEFA-s do të bëjnë çmos për ta penguar zhvillimin e kësaj miqësoreje. Federatës serbe në ndihmë i kishte ardhur edhe Qeveria e këtij vendi për ta penguar zhvillimin e kësaj ndeshjeje, nëpërmjet ministres së Sportit të Serbisë, Snezana Samardziç-Markoviç.
Megjithatë, Salihu thotë se lobimi serb nuk ka ndikuar në anulimin e kësaj miqësoreje.
“Është e turpshme që Federata serbe i shërben politikës ditore të qeverisës serbe. Është i pakuptueshëm ai veprim i tyre, kur ata e dinë fort mirë se pranimi i Kosovës në FIFA dhe UEFA mbetet vetëm çështje kohe”, pohoi Salihu.
“Megjithatë, ata nuk kanë ndikuar, sepse që nga fillimi Dinamo ka qenë e vetëdijshme se do të ballafaqohet me presionin serb. Përkundër kësaj, kroatët e kanë pranuar ftesën tonë, por infrastruktura e dobët sportive në vendin tonë bëri që ndeshja të anulohet”, përfundoi Salihi.
Vlen të theksohet se kjo është hera e dytë që Dinamo e Zagrebit anulon vendimin për të zbarkuar në vendin tonë. Edhe para dy viteve, Dinamo qe dashtë të luante në Prishtinë kundër Trepçës ’89 për nder të pavarësisë së Kosovës, por më pas qeveria kroate, në mes të përgatitjeve për organizimin e ndeshjes, i pati sugjeruar gjigantit kroat të mos zbarkojë në Kosovë shkaku i presionit të Serbisë.
Ndërkohë, lobi serb e pat penguar edhe zhvillimin e një ndeshjeje miqësore mes përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Brazilit.
Dinamo s’vjen në Kosovë
Dinamo e Zagrebit nuk do të vijë në Prishtinë, për të zhvilluar një ndeshje për nder të përvjetorit të tretë të pavarësisë së Kosovës.
Klubi kroat, përmes një komunikate për shtyp ka njoftuar se ka marrë vendim që të mos udhëtojë drejt Kosovës, pasi drejtuesit e Federatës së Kosovës kanë bërë të ditur se stadioni i Prishtinës nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjes.
“Pas njoftimit të sekretarit të FFK-së, Eroll Salihut, se nuk ekzistojnë kushtet teknike që ndeshja e paralajmëruar miqësore ndërmjet Dinamos dhe përzgjedhjes së Superligës së Kosovës që më 19 shkurt të zhvillohet në Prishtinë dhe se e njëjta mund të luhet në Mitrovicë, menaxhmenti i Dinamos ka vendosur të anulojë udhëtimin në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Dinamos.
“Futbollistëve dhe trajnerëve të Dinamos në asnjë rast nuk i përshtatet që ndeshja të zhvillohet në Mitrovicë, për shkak të udhëtimit shtesë, që në këtë fazë të përgatitjeve do ti sillte vështirësi dhe angazhime shtesë. Për këto arsye falënderojmë FFK-në për ftesën, me dëshirën që të jemi mysafirë në Prishtinë në rastin e parë kur të jenë krijuar të gjitha kushtet teknike”, thuhet më tej në njoftimin e Dinamos.
Dinamo pritej të ishte e para ekspeditë sportive kroate që vjen në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Dinamo është dashur të luajë në Prishtinë kundër Trepçës ’89 edhe dy vjet më parë, për nder të Pavarësisë së Kosovës, por më pas qeveria kroate, në mes të përgatitjeve për organizimin e ndeshjes, sugjeroi që ndeshja të anulohet për shkak të presionit të Serbisë.
Në Dinamo Zagreb në të kaluarën kanë luajtur Kujtim Shala dhe Ardian Kozniku, derisa sot fanellën e klubit nga stadiumi Maksimir e bartin edhe dy kosovarë të tjerë; Fatos Beqiraj dhe Arian Ademi.