S’jam person që “vranë e kthjell”
Një nga ish-drejtuesit e UÇK-së, kundër të cilit janë ngritur akuza në raportin e Këshillit të Evropës për përfshirje në vepra kriminale gjatë luftës, thotë për BBC-në se akuzat ndaj tij janë “qesharake” dhe “spekulime”.
Xhavit Haliti, njëri prej drejtuesve të Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë në një intervistë për BBC se është i gatshëm të përballet me çdo hetim që emri i tij “të pastrohet”. Ai thotë se nuk është person me mbifuqi, që “vranë e kthjell”, por një njeri “që di të punojë në ekip”. Sa u përket akuzave për pasurinë e pafundme që ka, Haliti shprehet: “Nuk jam pronar i asnjë kompanie, nuk jam aksionar në asnjë kompani dhe nuk jam hije e asnjë kompanie të biznesit në Kosovë”.
Haliti ka thënë se prapa të gjitha këtyre spekulimeve kundër tij“është Serbia dhe
njerëzit e saj në Kosovë”.
Haliti, po ashtu, ka shpjeguar se ai i kishte bërë një shkresë në vitin 2005 shefes së Zyrës së SHBA-ve, Marcie Ries, dhe atëherë i kishte kërkuar asaj që t’i ndihmonte të hapen hetimet ndaj tij, meqenëse ishte i përfolur për krim të organizuar në Kosovë. Megjithatë, ai ka thënë se “nuk ka marrë ndonjë përgjigje”.
“Unë besoj që edhe KFOR-i, edhe organet e specializuara të UNMIK-ut, e tani të EULEX-it, kanë hetuar dhe janë duke hetuar, i pyesin njerëzit dhe rezultati i vërtetë i hetimeve do të dalë. Unë nuk kërkoj dëmshpërblim, por së paku të ketë një vendim, një qëndrim. Besoj që do të ishte, jo një spastrim, por një satisfaksion të paktën për fëmijët e mi”, ka thënë Haliti.