E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo s’pyet as për Vllazninë, Apolonia e treta

Kryesuesja e këtij kampionati, Dinamo, që nuk e njeh humbjen deri tani, ka mundur në shtëpi nënkampionen në fuqi, Vllazninë me rezultatin 4-2. Blutë kaluan në epërsi të dyfishtë që në 15 minutat e para të takimit me anë të Sefës dhe Bakajt. Por shkodrabët kundërpërgjigjen dhe barazojnë me anë të Rajoviç dhe Beqirit.

Por Fatjon Sefa shënon edhe dy herë të tjera, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-2. Në këtë mënyrë, Dinamo mbetet e pandalshme në rrugën e saj drejt titullit kampion, në pritje të të ndeshjes së të enjtes, mes Besës dhe Tiranës, për të parë nëse verdhezinjtë do të fitojnë dhe do ta ndjekin me 12 pikë diferencë, apo do të bëjë ndonjë surprizë Tirana në Kavajë, duke e larguar edhe më skuadrën e Shpëtim Duros nga kryesuesit.

Ndërkohë, Apolonia është rikthyer në vendin e tretë, pasi ka mundur 2-0 Laçin. 2 golat e Bërkiç i dhanë fitoren fierakëve,, që gjithsesi kanë zhgënjyer në lojë.

Në Krujë, Kastrioti mundi 4-1 Shkumbinin, duke u rikthyer te fitorja pas rezultateve të dobëta të javëve të fundit. Në Durrës u luajt derbi bregdetar, mes Teutës dhe Flamurtarit. Një gol e ka bërë diferencën në këtë sfidë, që i përket Teutës, e cila ka fituar 1-0 dhe ka marrë 3 pikët. Tjetër dështim për vlonjatët, që renditen të fundit.

Një tjetër derbi, i fqinjëve juglindor, Gramozi-Skënderbeu, u luajt në stadiumin pa tifozë të Ersekës. Vendasit e drejtuar nga Agim Canaj, pavarësisht se pa tifozë, pas barazimit në Tiranë në fundjavë, marrin një tripikësh mjaft të rëndësishëm, që rrit shpresat për mbijetesë. 2-0 përfundoi ky takim, me gola të Oliveiras dhe Rustemit. Java e 15-të e superligës do të mbyllet ditën e enjte, me ndeshjen që do të luhet në Kavajë, mes Besës dhe Tiranës.
 
Superliga, java e 15-të

Sot
GRAMOZI-SKËNDERBEU  2-0
Oliveira 49′, Rustemi 71′
 
APOLONIA-LAÇI  2-0
Bërkic 23’, 68’
 
DINAMO-VLLAZNIA  4-2  
Sefa 4′, 48’, 52’, Bakaj 8’ / Rajovic 23’, E.Beqiri 25’

 
KASTRIOTI-SHKUMBINI  4-1
Kalari 12′, Pema 25′, 76’, Abazaj 82’ / Pashja 32’  
 
TEUTA-FLAMURTARI  1-0
Dushku 68’
 
Nesër
BESA-TIRANA  

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›