Dinamo teatër dhe titull kampion
Duhej të ishte trofeu i rekordeve, një festë e vërtetë për 60-vjetorin e krijimit të klubit me dominimin absolut në kampionatin shqiptar. Megjithatë, Dinamo e fitoi titullin e 18 kampion në histori në mënyrën më të shëmtuar të mundshme: me humbjen e katërt radhazi dhe duke vazhduar serinë e dhuratave për skuadrat që luftojnë për mbijetesë. Si për ironi, edhe kundër Teutës, blutë e drejtuar nga Shkëlqim Muça u mposhtën me rezultatin 2-1, por duke përfituar nga disfata e Tiranës me Laçin, ata marrin matematikisht titullin. Besa e vendit të dytë është 12 pikë larg, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga mbyllja e Kategorisë Superiore. Edhe nëse dinamovitët do t’i humbitnin të gjitha ndeshjet, ndërsa kavajasit do të arrinin të grumbullonin pikët e plota, ata nuk do ta humbnin vendin e parë. Kjo, për faktin se sipas rregullores, nëse dy skuadra kanë pikë të barabarta, pozicionet përcaktohen në bazë të rezultateve në sfidat direkte: një pikë ku kryeqytetasit janë të avantazhuar, pasi në dy sfidat e mëparshme me verdhezinjtë kanë regjistruar dy fitore.
Edhe kundër Teutës, ashtu si kishte ndodhur në javët e mëparshme me Flamurtarin, Vllazninë dhe Apoloninë, impenjimi i lojtarëve të Dinamos ka qenë minimal. Madje, ishte mjaft e vështirë që të mos vihej re tolerimi i hapur i kundërshtarëve. Blutë kaluan të parët në avantazh, vetëm pas 10 minutave lojë: një gol aksidental, ku Diop ka devijuar drejt rrjetës goditjen e Kulit nga jashtë zonës. Në të 16-n, miqtë nga Durrësi reagojnë dhe barazojnë shifrat me Muçollarin që kërcen më lart se të gjithë pas ekzekutimit të një goditjeje këndi. Pjesa e parë mbyllet me një rast të mirë shënimi për vendasit, ku më parë Bakaj godet shtyllën, ndërsa topin e rikthyer në lojë Putinçiani e dërgon në rrjetën e jashtme të portës kundërshtare. Nëse në pjesën e parë dinamovitët kanë luajtur, në të dytën ata janë shfaqur inekzistent në fushë, duke lejuar kundërshtarët që të bënin çfarë të donin. Në këtë mënyrë ka lindur edhe goli i dytë i Teutës në minutën e 69 me Milen. Por, episodi më flagrant erdhi vetëm 7 minuta përpara mbylljes së takimit, ku protagonist ishte Elis Bakaj. Sulmuesi i Kombëtares i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes, kalon portierin dhe kur ndodhej përpara portës së boshatisur e kap topin me dorë. Gjyqtari Hoxha e ndëshkon me kartonin e verdhë, por 22-vjeçari shkon në dush përpara kohe prej protestave të ekzagjeruara. Pas fërshëllimës finale, edhe pse të vetëdijshëm për fitimin e titullit, asnjë nga lojtarët nuk ka festuar. Të gjithë u futën me ngut në dhomat e zhveshjes. Ndërkohë, as drejtuesit e klubit dhe as trajneri Muça nuk e kanë hequr heshtjen për shtyp, pavarësisht triumfit në kampionatin e 71 kombëtar.
Tashmë, Dinamos nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë fundin e kampionatit dhe të projektojë të ardhmen. Drejtuesit kanë hedhur hapin e parë: sipas të gjitha gjasave, Muça (i cili fitoi kampionatin e katërt si trajner), njeriu që riktheu titullin pas dy sezonesh, do të largohet. Në vend të tij pritet të emërohet argjentinasi Luiz Blanko, i cili ka evidentuar edhe repartet që duhen përforcuar për pjesëmarrjen në Champions.
#