E Diel, 1 Nëntor 2026

Laçi, protagonisti i javës, tani Tirana rrezikon edhe Europa League

Superiore Laçianët mundin dhe kalojnë Tiranën, kurorëzojnë Dinamon. Besa përfiton vendin e dytë

Kur duhen edhe katër javë deri në mbylljen e sezonit, shkurorëzohet Tirana dhe kurorëzohet kampionia e re, Dinamo. Blutë nuk bënë thuajse asgjë për ta merituar, por e gjithë merita i shkon Laçit, i cili realizon të gjitha sensacionet e javës, pasi duke mposhtur në “Qemal Stafa” bardheblutë, mund rivalen direkte në luftën për në Europa League, që tashmë e sheh nga lart poshtë, shpall zyrtarisht Dinamon kampione dhe i jep Besës mundësinë të rikthehet në vendin e dytë në tabelë. Ndërsa Tirana jo vetëm që pëson humbjen e parë në 5 ndeshje, por tashmë rrezikon edhe arritjen e objektivit për të luajtur në Kupat e Europës, pasi renditet e katërta në klasifikim. Skuadra e Starovës shënon pas vetëm 10 minutash me Ahmatajn, por Laçi nuk rresht për asnjë momentet. Krijon vazhdimisht dhe në të 44-n Nimani vendosi ekuilibrin 1-1. Përpjekjet e miqve vazhdojnë edhe në të dytën, ku Nora (i futur si zëvendësues) realizon edhe golin e fitores 2-1 në minutën e 73, që mban gjallë shpresat e tyre për Europën. Besa triumfon bindshëm ndaj Shkumbinit 2-0 në Kavajë, ku nuk ka munguar tensioni. Kanë dalë me karton të kuq nga fusha e lojës pak pas fillimit të ndeshjes trajneri Përparim Daiu dhe më pas edhe shefi i klubit Astri Isai, i cili e kishte zëvendësuar teknikun, por dëbohet pasi gjuajti një top drejt tifozëve vendas, që acaroi këta të fundit. Golat e Besës u firmosën nga Shkëmbi (2’) dhe Sinani (59’). Pas humbjes 2-0 me Kastriotin në Krujë, Vllaznia tani fillon ta ndiejë edhe më shumë peshën e “harakirit” që bëri javën e kaluar, kur për një gabim në protokoll humbi 3 pikët që i shkuan Skënderbeut. Krutanët dhanë maksimumin e tyre në këtë ndeshje, ku vulosi dopjeta e Babiç (me penallti në 63’ dhe 83’). Vetëm barazim 1-1 ishte fati i ndeshjes së vërtetë të luajtur në Korçë mes Skënderbeut dhe Apolonisë, ku mbizotëroi lufta sportive. Për korçarët shënoi Asllani (54’), miqtë barazuan me Rakipoviç (70’). Skënderbeu duhet t’u falet 3 pikëve të marra në tavolinë për ndeshjen me Vllazninë, ndryshe do ta kishte “lakun në fyt”, ndërsa fierakët rrezikojnë ende. Gramozi i fundosur ndal Flamurtarin, që del me një pikë nga stadiumi i boshatisur i Ersekës pas barazimit 1-1, gola që mbajnë emrat e Sadikut (6’) për vendasit dhe Memellit (81’) për miqtë. Analiza e javës së 29 çon në përfundimin se të gjithë garuesit, që nga Flamurtari (vendi i pestë, 40 pikë) e poshtë (Shkumbini e Vllaznia (39), Teuta (38), Skënderbeu (37), Kastrioti (36) dhe Apolonia (35) janë ende të rrezikuar për të rënë, ku duhet zgjidhur edhe çështja e “shoqërueses” së Gramozit, që bie direkt dhe dy skuadrat e tjera që shkojnë në “play-out”. Në javët e mbetura do të ketë një luftë të ndezur edhe mes skuadrave, që do të luajnë në Europa League.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›