E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo thyen Elbasanin, sot Gramshi-Partizani

Java e 25-të e Kategorisë së Parë luajti pesë ndeshjet e para të mërkurën, ndërsa dy të tjera luhen sot. FSHF-ja ka shtyrë për një datë tjetër, të papërcaktuar ende, zhvillimin e sfidës Pogradeci-Ada, ngaqë situata e përmbytjeve në Velipojë është alarmante dhe skuadra e trajnerit Kulli e ka të pamundur të lëvizë. Referuar rezultateve të së mërkurës, bie në sy pokeri i Himarës ndaj Kamzës, në një duel për mbijetesë, ashtu si fitorja minimale, por me shumë vlera e Besëlidhjes në Berat, ndaj Naftëtarit. Në Fushë-Krujë është "firmosur" barazimi i bardhë rezultativ, por sarandjotët kanë pasur shumë pretendime karshi gjykimit. Iliria është munduar të bëjë kthesën para tifozëve të vet, por miqtë kanë rezistuar dhe madje kanë krijuar mundësi optimale shënimi. Dinamo i ka dhënë një tjetër goditje drejt zonës kritike Elbasanit, duke e mundur pastër, me shifrat 3-1 në "Selman Stërmasi". Tri pikë qetësie për blutë kryeqytetas, në luftën për mbijetesë, ndërsa verdheblutë rikthehen te humbja pas dy fitoresh radhazi, pa iu shkëputur dot fundit, që e shpie një kategori më poshtë. Duke qenë se i luajtën të hënën ndeshjet e tyre për javën e 24-t, dy kryesuesit, Lushnja dhe Partizani do t'i zhvillojnë të enjten sfidat e radhës. Të kuqtë morën një fitore të mundimshme "in extremis", që vlen shumë për objektivin e tyre madhor: ngjitjen në Superiore, ndërsa Mamurrasi duket se shpenzoi shumë energji dhe do ta vuajë këtë ndaj Lushnjës.
(a.k/eduardilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›