E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, "viktimë" e gjykimeve apo e rastësisë?

Andi MATRAXHIU, Sporti Shqiptar
Gjithkush mund të mendojë se kur një skuadër futbolli nuk fiton një ndeshje menjëherë drejtuesit e saj fajësojnë arbitrimin. Por në rastin konkret skuadrës së Dinamos i janë mohuar 4 penallti, 2 nga të cilat "neto". Mund të duket koincidencë, por në 13 javë kampionat Dinamo ka fituar vetëm një 11-metërsh ndaj Besëlidhjes në ndeshjen e premierës së edicionit futbollistik 2007-2008. Ndërkohë, një i tillë i është dhënë kundër në transfertën e Korcës ndaj Skënderbeut. Rastet e dyshimta për moviolë kanë qenë të shumta, por mungesa e një analize profesionale për mungesë të pamjeve filmike nga disa pozicione, ka bërë që ato të jenë ende enigmatike. Në transfertën e Elbasanit drejtuesit dinamovitë kanë protestuar për një 11-metërsh të mosakorduar dhe për gjykimin në përgjithësi. Ndërkohë, një javë më pas, në derbin ndaj Tiranës, sulmuesit kroat Pero Pejic i është mohuar një penallti "neto", e cila nuk kishte nevojë për moviolë. Rastet në dëm të bluve vazhdojnë edhe në transfertën e Peqinit, pasi edhe pas këtij takimi trajneri Canaj do ta quante treshen e gjyqtarëve skandaloze. Edhe në këtë takim Dinamos i është mohuar një penallti. Pas këtyre deklaratave plotmllef të teknikut dinamovit, komisioni i disiplinës do ta ndëshkojë me 20.000 lekë gjobë. Por kështu, spontanisht lind pyetja: po arbitrat kush i ndëshkon nëse gabojnë? Gjithsesi, duke kaluar tek gjykimet anti-Dinamo, rasti më i fundit ka qenë ai i takimit të ditës së shtunë ndaj Vllaznisë, kur futbollisti i Dinamos Dario Bodrusic është penguar mbi vijën e zonës së rreptësisë në mënyrë të dyshimtë nga ana e mbrojtësit Teli.
Për gjyqtarin kryesor Arianit Lulaj nuk kishim të bënim me një 11-metërsh, por vetëm me një goditje dënimi. Me të drejtë stafi dinamovit ka protestuar fuqishëm ndaj disa gjykimeve, sipas tyre, skandaloze, por më kot, pasi "britmat" e tyre deri tani janë sfumuar në drejtim të Rrugës së Elbasanit, duke rënë në veshë të shurdhët. Me të drejtë fansët dinamovitë i bëjnë gjithnjë disa pyetje vetes së tyre: cfarë kanë këta gjyqtarë kundër nesh, na ndëshkojnë për mungesë të profesionalizmit, apo bëhemi "viktima" me qëllim si skuadër pretendente? Vetë trajneri Canaj, i gjobitur më parë nga komisioni i disiplinës për deklarata të nxituara ndaj gjyqtarëve, për rastin e fundit në ndeshjen ndaj Vllaznisë, edhe pse me "gjysmë zëri" ka komentuar: "Unë nuk mund të flas pa i parë pamjet filmike. Megjithatë, nga pankina më është dukur brenda zonës. Gjithsesi, janë mediat dhe specialistë të ndryshëm ata që duhet ta vlerësojnë rastin konkret. Por në fund të fundit, loja mbaroi. Ishte apo nuk ishte, ajo i mbetet së ardhmes për t'u gjykuar,"- citon Canaj. E pra loja mbaroi, penalltia nuk u akordua, Dinamo humbi 2 pikë dhe historia vazhdon...

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›