E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myler, Inzagi e Klose, nga Shqipëria në majat e botës

Altin Latifi, Gazeta Shqiptare
Ndoshta është një rastësi, por Shqipëria ka qenë ajo që ka lancuar në botën e futbollit ndërkombëtar tre prej sulmuesve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Duke nisur nga Gerd Myler, golshënuesi më i mirë gjerman, duke vazhduar me Filipo Inzagin e së fundmi me Miroslav Klosen. Pikënisja e tyre ka qenë një skuadër shqiptare. Myler ishte vetëm një djalosh 21 vjecar dhe luante ndeshjen e tij të dytë me fanelën e kombëtares gjermane, ndërsa në Dortmund do të kishte përballë Shqipërinë. Gjermania fitoi 6-0 dhe katër golat mbajnë firmën e ish-sulmuesit të Bajernit të Mynihut. Që atëherë, Myler nuk u ndal më dhe golat e tij në arenën ndërkombëtare për klube dhe kombëtare, janë edhe sot një rekord. "Ai është ndoshta sulmuesi me aftësi më të mëdha shënuese, që mund të realizonte nga cdo pozicion dhe që gjendej gjithnjë shumë pranë golit", shkruhet në biografinë e "pancerit" gjerman. Debutimi i Gerd Myler ndaj Shqipërisë ishte një moment fatlum për të. Ndeshja u luajt më 8 prill 1967 në "Vestfalen Stadion", aty ku nisi karriera e bujshme e ish-kampionit të botës. Në 62 ndeshje me kombëtaren, ai realizoi 68 gola, një rekord që vështirë se do të thyhet nga ndonjë lojtar tjetër. Inzagi Një sulmues i dobët në fizik dhe vetëm 22 vjec, Filipo Inzagi do të provonte të shënonte golin e parë në arenën ndërkombëtare për klube, për t'u bërë më pas golshënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Më 28 shtator 1995, Parma luante në fushën e saj ndeshjen e kthimit ndaj Teutës, për turin e dytë paraleminator të Kupës së Kupave. Takimi i luajtur në Tiranë kishte dalë 2-0 për italianët, që ishin thuajse të kualifikuar, duke pasur në organikë edhe yje të kalibrit Stoickov. Inzagi u fut në fushë si zëvendësues dhe shënoi golin e dytë për dukalët në minutën e fundit. Që nga ai moment, nisi karriera e golshënuesit më të mirë në arenën europiane për klube. "Unë e kujtoj shumë mirë golin e parë, atë kundër Teutës në Kupën e Kupave", thotë Inzagi për uefa.com. "Ishte një gol i rëndësishëm, pasi ishte i pari në një ndeshje europiane dhe unë realizova në minutën e fundit. Askush nuk do ta harronte golin e parë në europian", u shpreh sulmuesi i Milanit. Inzagi në fakt nuk u ndal këtu. 12 vjet pas atij takimi, ai mban rekordin e sulmuesit që ka shënuar më shumë gola në Kupat e Evropës, 63 të tillë. Klose Ka qenë një nga ndeshjet më të bukura që ka zhvilluar Shqipëria, megjithatë në fund fitoi Gjermania 2-1. Luhej në "Baya Arena" të Leverkusenit, ishte 24 mars i vitit 2001, një ndeshje e vlefshme për Botërorin 2002. Trajneri Rudi Fëler hedh në fushë një sulmues të ri, me origjinë polake dhe që luante ndeshjen e parë me fanelën e përfaqësueses. Ndeshja ishte fiksuar në 1-1, pas barazimit shqiptar me Bledar Kolën. Gjermania nuk po gjente avantazhin, por deri në minutën e fundit. Arbitri italian Cesari lejoi një pozicion të dyshimtë dhe një kros i Shnajder nga e djathta, gjen të lirë 23 vjecarin Klose. Ai ulet në gjunjë dhe e godet topin me kokë. Gjermania kalon në avantazh 2-1 dhe fiton ndeshjen, duke marrë frymë thellë. Që atëherë, "polaku" do të bëhej lideri i sulmit gjerman, duke qenë i tillë edhe në ekipin e tanishëm të drejtuar nga Joakim Lëv. Shqipëria ishte sërish me fat për sulmuesit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›