Eksperti gjerman; “Si kuptohet një ndeshje e manipuluar”

Dirk Paulsen është një bastvënës profesionist nga Berlini dhe ka 17 vjet që merret me këtë punë, ai ka fituar shumë parà nga futbolli; në një javë normale në një sezon, ai merr rreth 100 mijë euro sëbashku.. Ai është një lloj barometri dhe gazeta gjermane, "Tagesshpigel" nga Berlini, e ka intervistuar lidhur me dyshimet e fundit për manipulime rezultatesh në eurokupat. Paulseni merr si shembull ndeshjen e Intertotos, mes Talinit të Estonisë dhe Honka Espos së Finlandës. "Ecuria e koeficientëve ishte qesharake, - thotë Paulseni, - ne nisëm të qeshnim". Talin-Honka është mes 26 ndeshjeve për të cilat UEFA ka dyshime se janë paracaktuar, ku bëjnë pjesë edhe Trans Narva (Estoni)-Helsingborg (Suedi), Bezhanije (Serbi)-Besa (Shqipëri), Makedonija Shkup-Cerno More (Bullgari) dhe të tjera.
Paulsen nuk habitet që shumica e dyshimeve bien mbi Europën Lindore dhe Jugore dhe thotë se "të gjithë e dinë se atje bëhen manipulime ndaj unë nuk luaj më në ndeshjet e tyre". "Për takimin Talin-Honka, të dyja skuadrat ishin përcaktuar si njëlloj të forta dhe finlandezëve u mjaftonte një barazim që të kualifikoheshin, - tregon Paulseni, - por një sasi e madhe parash u hodh për fitoren finlandeze dhe kuota e fitores së tyre ra nga 2.5 në 1.4. Në tregun aziatik u bë edhe më shumë turbullirë, u ndryshua pesë herë koeficienti dhe u vunë shumë para për fitore të Espos me 2 gola diferencë. Në fund, finlandezët fituan 4-2".
Partneri I Paulsenit, Kristian Plenc, thotë se shumë dyshime u hodhën për ndeshjen AEK I Athinës-Tiflis. "Koeficienti ishte 33 që Tiflis të fitonte pjesën e parë dhe AEK-u të fitonte ndeshjen, - thotë ai, - pjesa e parë përfundoi 1-0 për miqtë dhe grekët fituan ndeshjen 5-2, kjo ndodhi në dhjetor 2004. Për këtë kombinim u vunë shumë para në baste. Këto ndodhin më shumë në turin e parë dhe të dytë të Intertotos ku luajnë skuadra të federatave të parëndësishme". Të dielën, Paulseni bëri edhe një vëzhgim tjetër interesant, këtë herë në Zvicër, në ndeshjen Lokarno-Kiaso. Koeficienti I fitores së miqve u ul disa herë nga 6 në 2, "një ecuri koeficientësh absurdë", sic thotë Paulseni. Kiaso fitoi 5-1.
Përgatiti: B.Kuka