E Diel, 1 Nëntor 2026

Politikë me vdekjen...!

 

Ajo frymë politike, që në substancë është primitiviste, nuk njeh rregulla loje. Është në gjendje që edhe të gjallët t’i bëjë të vdekur, nëse kjo mund të ketë një lloj përfitimi politik, qoftë edhe momental. Një nga ngjarjet që shoqëroi propagandën mizerabël të post-zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni ishte shpërndarja e një lajmi, sipas të cilit, politikani dhe intelektuali i shquar Arbën Xhaferri, ndërroi jetë. “Çerdhja e çmendinave” që përhap të tilla pamflete, ndoshta nuk meriton hapësirë në këtë gazetë të nderuar ku edhe vetë z.Xhaferri shkruan, por kam drojën se rreziku më i madh i shoqërisë shqiptare në Maqedoni, vjen pikërisht nga një grusht mostrumësh, të cilët, janë lumturuar në besimin barbar se gënjeshtra të tilla ogurzeza ua bëjnë më të lehtë marrjen e pushtetit.

***

Si amator i pandreqshëm në shah, në 16 qershor në mesditë rreth orës 15.00 isha duke luajtur shah pikërisht me z.Xhaferri. Në kulmin e një të qeshure gjatë lojës, më bie telefoni, dëgjoj zërin e mekur të një kolegu që më thotë: “Po thonë se ka ndërruar jetë Arbën Xhaferri, mirëpo gjoja po mbahet top sekret...”.

U trullosa aq shumë, sa munda vetëm të belbëzoja: “Epo kjo është çmenduri...” dhe fap e mbylla telefonin! Mimika e fytyrës më tradhtoi.. “Asgjë, asgjë, dikush pa lidhje, - i them z. Xhaferri. Mora guximin të largohem, pa dhënë as shpjegime nga shokimi. Ika pa orientim, ndërkohë që nuk mundesha të ngrija më as telefonin që vijonte të binte. Pas 5 minutash telefonon z.Xhaferri: “Mos u inatos, loja përfundoi rremi, - më thotë. Kuptova se nuk ishte aspak e sjellshme mënyra si u largova nga zyra e tij. Si për të mbledhur veten, e pyes: “Të lutem, si më thatë për ata që kanë përhapur lajmin se Menduh Thaçi ka pësuar infarkt..? (edhe këto fjalë u përhapën këto ditë). “...Betejë psikologjike”,- ma kthen ai.- “Ok, shumë faleminderit!...” - thashë dhe e mbylla telefonin. Rrugës për në banesë u ndesha me kryqëzimet e shikimeve të kalimtarëve, sikur donin të më pyesnin diçka. Sapo mbërrita tek shtëpia, zhurmës së rrotullimit të çelësit në bravën delikate iu shtua sërish melodia e telefonit. – “Po, urdhëro”... - “Në Shkup kanë përhapur fjalë se ka vdekur Arbën Xhaferri, ndërsa Thaçi ka pësuar infarkt” - më thotë telefonuesi...!

Hyra në dhomë, hoqa orën nga dora dhe hapa televizorin. Sërish telefoni. Hëm! Një tjetër telefonate që ndjell vdekje për njerëz të gjallë dhe të shëndoshë. Bëra disa telefonata verifikuese dhe me rezultoi se spekulimi pervers kishte marrë dhenë. Qëllimi ishte pastër për të demoralizuar dhe dekurajuar elektoratin! Dola nga shtëpia... Poshtë banesës ku jetoj, sapo dal, përballem me një përshëndetje. Kthej kokën ishte Pajtimi, djali i madh i Thaçit. Nisim të flisnim për Tiranën (ai është student aty). Përtej humorit allatiranas, nuhasja një brengë, por që ai përpiqej mos ta shfaqte. Lajmet e rreme kundër të atit, ia kishin rrëmbyer mendjen me siguri. Nuk pata as kurajë dhe as fuqi, as t’ia hapja si bisedë...

***

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni shkaktuan jo vetëm shkatërrim të imazhit të shqiptarëve të këtushëm, por edhe dhunë, trauma psikologjike, vrazhdësi... Por më e tmerrshmja, ishte kjo thashethemnajë e këtyre ditëve, një spekulim i pastër që nuk kurseu as vdekjen imagjinare të kundërshtarëve politike. Gjithsesi Arbën Xhaferri gëzon shëndet të plotë, Menduh Thaçi po ashtu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›