E Diel, 1 Nëntor 2026

Momenti i Klodianës

 

Pas 17 vjetësh, violinistja Klodiana Skënderi kthehet në Tiranë me një koncert me pjesë nga Moxart. Shoqërohet nga orkestra më e re në vend, “Camerata e Tiranës”

Ishte Moxarti që e ktheu pas 17 vitesh në Tiranë. Dikur ajo konsiderohej si një nga artistët e rinj me dhunti të veçanta. Ka ende njerëz që ia mbajnë mend emrin pavarësisht largimit të gjatë. Sot, violinistja Klodiana Skënderi është pjesë e Orkestrës Kombëtare të Operës Franceze. Falë dhuntive ka bërë emër të mirë në skenat e huaja dhe më në fund vjen në Tiranë si zonjë e nderuar. E shoqëruar nga violinisti Raphael Aubry dhe nga një orkestër të rinjsh, të pagëzuar vetëm pak ditë më parë nën emrin “Camerata e Tiranës”, Klodiana Skënderi jep sot në orën 19.00 një koncert në skenën e Teatrit Kombëtar. Për herë të parë,për skenën e Tiranës ekzekuton “Koncertatën” e Moxartit, si dhe pjesë të tjera më të njohura, shkëputur nga repertori i kompozitorit (“Divertimento” dhe pjesa e dytë e Simfonistë së 29).

E shoqëruar nga kolegu francez dhe i vëllai Arben Skënderi, violinçelist i njohur (një prej instrumentistëve të kuartetit “Gaudi” dhe drejtor artistik i “Cameratës së Tiranës) violinistja dha një konferencë për shtyp në ambientet e Akademisë së Arteve. Ka një pamje të qetë, deri-diku të distancuar. Jeta larg Shqipërisë, duket se ka bërë të vetën. Shqipja i ka marrë një theks të fortë francez dhe pa dyshim mendimet do t’i rendiste më mirë në gjuhën frënge. Kur kthehesh në vendin tënd pas një kohe të gjatë, pyetja e parë është sigurisht, përse kaq vonë? Thotë se e ka menduar edhe më parë, por tani u krijuan kushtet dhe u lidhën bashkë shumë rrethana. Projekti i Shoqatës kulturore “ARTHENA- Shqipëri” që organizon koncertin, iu duk momenti i shumëpritur për tu kthyer. “Ishte si një ndjesi e brendshme”, - thotë violinistja, e larguar drejt Parisit më 1991, menjëherë pas hapjes së Shqipërisë. Dhe nuk ishte e vetmja, por një brez i tërë instrumentistësh të rinj të talentuar, të cilët kanë bërë emër në skenat e huaja, si Tedi Papavrami, Renato Ripo, etj.

Në Tiranën e ndryshuar, ku nuk gjeti miqtë e dikurshëm dhe ndihet paksa e huaj. Është e ndërgjegjshme që shumë nuk e njohin, sidomos të rinjtë. “Por shpresoj të më njohin tani”, - thotë ajo. E quan kohë rikthimesh dhe nuk e përjashton ardhjen sërish në Tiranë, madje edhe me kolegë të tjerë shqiptarë, që kanë ikur ashtu si ajo. “Çdo gjë ka kohën e vet. Gjithçka duhet të vijë natyrshëm”. Dhe duket se është pikërisht koha, për të qenë më e pranishme në vendin e saj të lindjes “për të sjellë pak më tepër gjallëri në jetën kulturore të Tiranës”. Prej shumë vitesh Klodiana Skënderi është violiniste pranë Orkestrës nacionale të Parisit. E pasionuar pas muzikës së dhomës, bashkëpunon edhe me formacione më të vogla instrumentistësh, ndër të cilët edhe kuarteti “Gaudi”, i cili një vit më parë ishte në Shqipëri për të shoqëruar sopranon Inva Mula gjatë prezanimit të albumit me këngë qytetare shqiptare.

Nisi të luante violinë qysh në moshën 5-vjeçare nën drejtimin e nënës së saj. Më 1983 siguron një bursë studimi nga Qeveria Franceze. Gjatë viteve 1987-1990 punon në Teatrin e Operës dhe Baletit si soliste. Më 1991 kthehet në Paris, ku është pjesë e Orkestrës Kombëtare të Operës së Parisit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›