Dino Asanaj, një inskenim vetëvrasjeje?

Ish-kreu i Agjencisë së Privatizimit në Kosovë, Dino Asanaj
PRISHTINË – Së paku shtatë plagë nga thika janë evidentuar në trupin e Asanajt, ka thënë një burim i sigurt për gazetën Koha Ditore në Kosovë. Autopsia e trupit të Dino Asanajt duket se do të hedhë poshtë edhe mundësinë e vetëvrasjes, meqë ekzaminimi i parë ka treguar se i ndjeri ka shumë goditje me thikë, të pamundura nëse do të ishte vetëvrasje.
Dyshimi u ngrit nga një letër në dorëshkrim dhe një stilolaps mbi tavolinën e punës së Dino Asanajt që flet për mundësinë e vetëvrasjes, apo edhe të inskenimit të vetëvrasjes.
Letra është në tre rreshta, duket e nënshkruar nga vetë Asanaj, dhe është gjetur në zyrën private të tij në Fshatin Ndërkombëtar në Hajvali.
Në këtë letër thuhet: Remzi Ejupi, gazeta Zëri dhe Abdurrahman Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin, duke vepruar kështu, shkruhet në këtë letër sipas burimeve nga hetuesia.
Akuzat publike nisën pas marrjes së hotelit Grand në menaxhim të AKP-së si pasojë e mospërmbushjes së detyrimeve për investime që kishin aksionerët Zylqif Berisha, Remzi Ejupi e Bexhet Pacolli.