Ndalohen 6 furgona me punëtorë hashashi drejt Lazaratit

Pamje nga fushat në Lazarat, Gjirokastër
GJIROKASTER Nga Veriu drejt Lazaratit për punë! Por punë hashashi. Mëngjesin e sotëm janë ndaluar nga policia 6 furgonë me dhjetëra “pasagjerë”, që po shkonin për në Lazarat. Konkretisht janë ndaluar dhe marrë në pyetje 21 persona, të cilët kanë treguar se si punësoheshin, se si hapnin gropat ku mbillnin hashashin, sa orë punonin, sa paguheshin dhe cilët ishin punëdhënësit e tyre.
Konkretisht 2 mijë lekë për 10 orë punë në ditë është pagesa në fushat e hashashit të Lazaratit. Por, ka dhe punëdhënës lazaratas, që këtë verë, duke përfituar nga shtimi i krahut të lirë të punës, paguajnë më pak, 1 mijë lekë.
Tashmë policia e Gjirokastrës, në bashkëpunim me dy grupe të FNSH-së së Fierit, dhe për rrjedhojë edhe me eprorët e tyre në Tiranë, kanë një listë të banorëve të Lazaratit, që kultivojnë bimë narkotike, por për arsye hetimore emrat e tyre nuk bëhen me dije.
Burime nga policia bëjnë të ditur se punëtorët po merren në pyetje, për të zbuluar emrat e personave që i kanë punësuar në Lazarat.
Nga dëshmitë e dhëna në polici ka rezultuar se shumica e personave që ishin punësuar nga lazaratasit për mbjelljen dhe kultivimin e hashashit janë nga lagjet periferike të Gjirokastrës. Bëhet fjalë për banorë të komunitetit rom në lagjet “Zinxhira” dhe “Punëtori”. Ndërsa, të tjerët janë persona të papunë, që mblidhen për çdo ditë në sheshin “Omonia”. Por edhe banorë nga rrethe të ndryshme të vendit (Shkodra, Lezha, Elbasani, Librazhdi etj).