Dinosha:Tirana të kthejë sytë te shqiptarët e Malit të Zi
“Së pari dua të them që dikush më ka lidhur me komentin në lidhje me vizitën e një delegacioni serb të Qeverisë së Kosovës në Shqipëri para disa ditësh dhe mund të them që kjo nuk është e vërtetë fare pasi unë asnjëherë dhe me askënd nuk kam komentuar vizitën e përmendur në Tiranë. Përkundrazi, personalisht dhe partia që unë drejtoj çmojmë lart angazhimet e Qeverisë shqiptare dhe stafit diplomatik të saj që po ndryshojnë në të mirë jetën e gjithë shqiptarëve kudo që ata janë”, u shpreh ai gjatë një intervite për mediat në Tiranë. Dinosha ka shpjeguar se kishte pasur një takim me gazetarë në Tuz, nga ku kishte deklaruar se ka ardhur që shteti shqiptar të jetë më shumë prezent kur është fjala për kontaktet me shqiptarët e Malit të Zi. “Komunikimet e deritanishme kanë qenë të mira, por gjithashtu kam menduar që shteti shqiptar si pjesë edhe e NATO-s, duhet të sillet ndaj pakicave, ndaj diasporës së vet, ashtu sikurse sillen shtetet demokratike evropiane të cilat ndihmojnë edhe materialisht projektet e caktuara të pakicave të veta.”, u shpreh Dinosha.Sipas tij, “deri tani, për shkak edhe të arsyeve objektive, nuk kemi qenë në situatë që të kemi ndihma materiale nga Tirana dhe ne e mirëkuptojmë këtë sepse në plan të parë ka qenë çështja e Kosovës, ndërsa tashmë që kjo çështje ka marrë për mbarë, mendojmë se Tirana do të ishte mirë të ishte prezente me projekte konkrete për shqiptarët e Malit të Zi me ndihma materiale për këta”. Dinosha ka kërkuar nga qeveria shqiptare që të ketë kujdes për pakicat e veta jashtë Shqipërisë. “Tirana si shtet amë i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, duhet të ketë dhe pakicat duhet të kenë kujdes për rrjedhat e përgjithshme demokratike në Ballkan. Pra, ne kemi më shumë politika shqiptare, kemi më shumë mjedise shqiptare dhe të gjitha këto në një mënyrë janë të drejtuara nga Tirana e cila me kapacitetet e veta të shtetit demokratik si anëtare e NATO-s, nesër si anëtare e BE-së, mund të ndihmojë avancimin e komunitetit shqiptar në mjediset ku ata jetojnë, pra është fjala për diasporën shqiptare” tha ministri shqiptar në qeverinë e Malit të Zi.