Konkurrenca e pandershme, në protestë 70 autoshkolla
“Tregu i patentave po monopolizohet nga kompani të pa licencuara”. Këtë shqetësim ngrenë drejtuesit e autoshkollave në Tiranë. Prej katër ditësh 70 prej tyre kanë pezulluar punën në shenjë proteste ndaj konkurrencës së pandershme. “Nuk është normale që ne të ushtrojmë aktivitetin tonë, duke iu përmbajtur të gjitha rregullave dhe ligjeve ndërsa të tjerë kompani të mos kenë as licencë e të tërheqin kursantët. Kjo është jo normale”, sqaruan disa prej protestuesve. Ata pohojnë se nuk do të rifillojnë 700 kurset e lëna pezull, nëse drejtoria nuk merr masa ndaj këtyre kompanive. Por krejtësisht i ndryshëm është pretendimi i drejtuesve të transportit rrugor. Ata shprehen se këto biznese janë pezulluar pas kontrolleve të ushtruara ditët e fundit. Gjatë inspektimit të kryer edhe në 90 autoshkolla, gjysma e tyre rezultuan me shkelje. Këtyre subjekteve iu lanë afate për plotësimin e kushteve, në të kundërt do t’u bllokohet puna. Por nga sa thuhet në deklaratën për media të Shoqatës Kombëtare të Autoshkollave, subjektet e hapura kohët e fundit kanë abuzuar hapur me përgatitjen teoriko-praktike të kursanteve. “Kanë mashtruar një pjesë të kandidatëve të regjistruar për kategori të ndryshme të lejeve të drejtimit, duke mos zotëruar licencën për kategoritë përkatëse. Kjo duke pasur mbështetje nga segmente të administratës përkatëse të D.P.Sh.T.Rr ose D.R.Sh.T.Rr Tiranë Shoqata, duke konstatuar prej kohësh shumë fenomene negative në sektorin e autoshkollave dhe për t’i luftuar ato kërkojmë në mënyrë të menjëhershme ndryshime në udhëzimin për Organizimin dhe Funksionimin e Autoshkollave të Ministrit të P.P.T.T.