E Diel, 1 Nëntor 2026

Diploma në Shqipëri, Bossi: Nuk kisha dijeni, s'kam qenë kurrë në Tiranë

MILANO – “Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, nuk flas shqip dhe nuk isha në dijeni të diplomës në universitetin shqiptar”. Kështu deklaroi sot djali i ish-liderit të Lega Nord, Renzo Bossi, pak ditë pas publikimit të skandalit për diplomimin e tij të dyshimtë në Shqipëri, vetëm një vit pasi kishte mbaruar gjimnazin në Itali.

“Vetëm tani mësova për diplomën. Ju kujtoj se gjithmonë kam thënë që nuk jam i diplomuar dhe kjo duhet të ketë një sens apo jo... U ndjeva i detyruar të dilja publikisht përpara mediave për të ndalur spekulimet, të cilat po më masakrojnë. Gazetarët janë shndërruar në gjyqtarë. Unë besoj tek drejtësia dhe do t’i përgjigjem vetëm asaj.”- deklaroi Renzo Bossi.

Deklarata e Renzo Bossit shton më tepër dyshimet e hetuesve italiane se diploma e marrë në Universitetin Krisal në Tiranë, mund të jetë blerë me fondet e partisë që drejtohej nga babai i tij, Umberto Bossi. 

HETIMET NE TIRANE
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për diplomën e dyshimtë të marrë nga djali i Umberto Bossi-t, pranë universiteti jo publik Kristal në kryeqytet.

Burime nga prokuroria e Tiranës bëjnë me dije, se njësia Taks Force pranë këtij institucioni që po drejton hetimet, i është drejtuar me një letër-porosi palës italiane, ku kërkohet informacion për diplomën e pjekurisë së Renzo Bossit, për të verifikuar autenticitetin e diplomës së dorëzuar pranë universitetit ‘Kristal’, në bazë të të cilit është kryer edhe regjistrimi pranë këtij universiteti.

Ndërkaq hetimet kanë vazhduar edhe pranë universiteti jo publik Kristal, ku prokurorët e çështjes kanë sekuestruar disa regjistra të nevojshëm për hetimet. Ndërsa janë marrë në pyetje edhe drejtues të stafit pedagogjik, të cilët kanë sqaruar procedurat e regjistrimit pranë universitetit.

Renzo Bossi rezulton të jetë regjistruar në këtë universitet për vitin akademik 2007-2008, por sipas organit të akuzës ai nuk ka shkelur asnjëherë në tokën shqiptare. Ai është diplomuar pranë universitetit ‘Kristal’ për Menaxhim-Biznesi në tetor të vitit 2010.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Italianët: Te “Kristal”, diploma blihet me 200 kg oriz ose me bagëti Ambasada Italiane: Nuk e njohëm diplomën shqiptare të Bossit "Diploma e Bossi-t", AK: Të dorëhiqet Tafaj, MASH: Po inspektojmë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›