E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përrallat me gjyshe, të Edi Ramës

Nga Luan Kurti

Në shfaqjen më të fundit në emisionin Opinion të Blendi Fevziut, kryetari i PS, Edi Rama, duke folur për të shkuarën e marrëdhënieve të tij kontradiktore me Metën, tha se gjyshja e tij e cila kishte qenë katolike, i kishte mësuar se falja është një gjë e mirë dhe fisnike. Madje kësaj sentence iu kthye më shumë se një herë, si fjalës magjike e cila do ta shpëtonte nga pyetjet e sikletshme të gazetarit, i cili e vuri në cep të ringut që në raundin e parë dhe gjatë gjithë kohës vazhdoi me presing. I gjori kryetari i Partisë Socialiste, Rama, nuk qe në gjendje të ruante qetësinë në asnjë moment. Dhe pse përpiqej të bënte batuta duke implikuar Fevzon me Frangajn apo me Doktorin, siç shpesh e ka për zemër, u duk sikur mezi po priste të mbaronte emisioni dhe tia thekte vrapit nga sytë këmbët. Por e theksoj, se më pikantja dhe më e pakuptimta e monologut, llogjeve të tij, qe kjo përralla me gjyshen të cilën ai po ua servirte me menefregizëm shqiptarëve të lodhur dhe të neveritur nga politika. Në përrallat zakonisht e mira e mund të keqen, trimi ndeshet me katallanin, qerosi ia hedh mbretit, e kështu me rradhë. Por në këtë përrallë, fabula prish rregullin, ligjëshmërinë, na del e përmbysur, pasi trimi i ulet në gjunjë katallanit plot reveranca dhe me dorë në zemër zbath poturet dhe duke e parë në sy me përvujtni përpiqet të sajojë një buzëqeshje për të treguar se i ka mbetur pak dinjitet. Kësaj i thonë mender krenari!… Thua nga gjyshemira ta ketë huazuar termin Rilindje lideri karizmatik i PS-së?!

Po pse rilindja e tij është sipas gjasave përjashtuese për Nanon (gjasa këto bazuar në mosmbështetjen noprane që ai po i bën kandidimit të Fatos Nanos për President)? Mos vallë edhe kësaj rradhe Edi Rama vjen si përherë me dy standarte, apo teoria e rimishërimit të shpirtrave ka disa filtra, të imtin ku skalon sardelia dhe rasati për të padëshiruarit dhe vrimgjerin ku kalon jo vetëm peshku normal, por edhe peshkaqeni bashkë me balenën të zënë krahë për krahu?!… Thua ta ketë seriozisht këtë herë dhe të ketë nxjerrë mësime nga e kaluara?… A do të kemi ndryshim të gjasave dhe frazeologjive deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, apo menjëherë pas mbylljes së fushatës presidenciale?… Sa për kujtesë lejomëni të sjellë në vëmendjen tuaj disa nga momentet, sfidat më kryesore të humbura qëkurse Rama erdhi në krye të PS, ku stili i tij i ligjërimit bombastik, teatror, donkishotesk, na ka hutuar dhe jo rrallë na ka lënë pa fjalë.

Slogani i PS, në zgjedhjet e përgjithshme të asaj kohe: Përtej së majtës dhe të djathtës, programi revolucionarizues për bujqësinë në një ngarendje të gjatë cep e më cep të Shqipërisë, rezultoi një dështim, një fiasko e madhe, e paparë. Po ashtu deklarimet e tij për politikë të re, për distancim nga xhaketat e vjetra njohën regres dhe pas humbjeve të rradhës në zgjedhjet lokale, pas një faljeje publike kulmuan me krijimin e këshillit të të urtëve. Rama nuk u pajtua kurrë me humbjen, braktisi institucionet dhe si një njeri të cilit i është ngrënë haku, tentoi të shfrytëzonte të gjithë hapësirën ligjore, në një ndeshje revanshi me kundërshtarin e tij politik. Duke mos marrë atë që priste nga drejtësia, i hodhi të tijtë në rrugë, në një grevë urie të paprecedent. Por pikërisht kur gjërat dukeshin se po shkonin në drejtimin e duhur dhe pushteti i Berishës i cili qe vënë seriozisht në disbalancë me ndërkombëtarët, i përngjante atij që është në buzë të greminës ku edhe shtytja më e vogël do të rezultonte fatale, Rama nga lokal Krokodili në Bruksel, kur ende nuk kishte arritur asnjë marrëveshje lëshoi ultimatumin për tërheqje, duke dëshmuar papjekurinë, delitantizmin vetëvrasës. Pastaj tentoi të thoshte se ndërkombëtarët e kishin prerë në besë! Përpjekja e fundit e Ramës qe tregimi i muskujve, luajtja e kartës së të fortit, në një imitim të Berishës, që kulmoi me 21 janarin, bilanci i të cilit shënoi katër viktima të pafajshme. Pra për ti përmbledhur: Rama humbi si lider vizionar në program dhe ideologji, humbi si pacifist gandist në betejën institucionale, humbi dhe si komandant i tipit revolucionar Kastrist në përballjen dhëmbë për dhëmbë në fushë të mejdanit me Berishën, duke ikur me bisht ndër shalë. Kërcënimi i këtij të fundit në një betejë më tepër të karakterit psikologjik, provoje edhe njëherë po ta mbajti, ja shteri karburantin dhe e mbylli përfundimisht në kullën e meditimit në Twitter. Dukej se ky njeri tani nuk frymëzonte askënd dhe as galat nuk trembeshin prej tij. Gjithë veprimtaria e tij politike e pas kësaj periudhe ka qënë e tipit deklarativ, injorues, aspak kreative, bjerrëse; në një qasje që e synon pushtetin jo si alternativë, jo si mundësi performance, por si një dhuratë, si shprehje e dëshpërimit të njerëzve, të cilët të lodhur, të mërzitur nga pushteti i Berishës, ja dorëzojnë spektrin liderit të rradhës. Gjithë anomalia me të cilën po ndeshemi sot, është rezultat i papërgjegjshëmërisë dhe dëshirës së këtij njeriu për pushtet të pakufishëm. E kam fjalën për ndryshimet kushtetuese që ngushtuan hapësirën e demokracisë, e kthyen sistemin gati dy polar dhe shndërruan presidentin e republikës në një njeri honorifik, me kompetenca të cunguara, kukull, roli i të cilit është të shpërndajë dekoratat si kryetari i presidiumit popullor qëmoti. Gjithë lëvizjet e tij të fundit, që nga letra, takimet e kryera apo të paralajmëruara me disa prej liderve të forcave kryesore politike në prag të zgjedhjeve presidenciale, janë më tepër një show post mortum, një bllof, një lëvizje në kundërrrymë, për të nxjerrë përfitimet e çastit, për tu rifaktorizuar dhe për ti dhënë një kartë morale për zgjedhjet e rradhës në 2013. Ato shprehin frikërat, obsesionet e tij personale, faktin e përmendur nën zë por edhe haptazi nga politikanë dhe analistë të ndryshëm, por edhe nga njerëz të thjeshtë, se edhe në këto zgjedhje me shumë gjasë Rama do jetë i humburi i rradhës. Natyrisht kjo do jetë një gjë jo fort e dëshiruar, sepse rotacioni i pushtetit në demokraci është domosdoshmëri, i jep asaj zhdërvjelltësi dhe frymëmarrje. Por fshati që duket sdo kallauz! Ai nuk është në gjendje të menaxhojë kapacitetet intelektuale brenda partisë, divergjencat, ka krijuar mentalitetin e mbytjes së zërit ndryshe, përjashtimin dhe vazhdon të tregohet i çakorduar, delirant. Braktisja e aleatëve ende pa filluar fushata është treguesi më domethënës i fatit të parashkruar, i pafuqisë së tij. Ske çi bën, lider lind dhe nuk bëhesh. Duke e kuptuar këtë anomali, këtë handikap, këtë nëmë mallkimi të lindur, Rama ka vendosur të na tregojë përrallën e gjyshes. Por frazat e tij janë kilometrike dhe zor se e mbajnë kureshtjen dhe vëmendjen e dëgjuesve të ngritur. Nuk është çudi që rrëfimtari aty nga fundi ta ketë humbur fillin dhe të pyes dëgjuesit e përgjumur: Ku e lamë?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›