E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomaci pa adresë

Skënder Hyseni thotë se Qeveria e Kosovës e ka lënë politikën e jashtme pa adresë të qartë. Ai nuk beson shumë as në strategjinë e njohjeve. Për Behgjet Pacollin e ka vetëm një vlerësim - thotë se ai nuk di të lobojë. Ish–Ministri i Jashtëm pohon se mbetet i përfshirë në procesin e lobimit, duke shfrytëzuar lidhjet e moçme. Nga Faton Ismajli më 18 qershor 2011 në ora 09:28

Ish–Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skënder Hysenit, nuk i pëlqen mënyra se si Qeveria e Kosovës e ka konceptuar politikën e jashtme të vendit.

Fakti që shumë dikastere merren me këtë çështje, për kryediplomatin e parë kosovar nuk është një shenjë se kjo fushë është prioritet i institucioneve të vendit.
Përkundrazi, Hyseni konsideron se e gjithë kjo është vetëm një pështjellim.
Në kohën sa e ka udhëhequr diplomacinë e vendit, ai shpesh është gjetur në thumb të kritikave.

E tani kur si deputet i opozitës i ka ardhur radha të dalë në taborin e kundërt, Hyseni shfaqet më i përmbajtur.

Kritikon mënyrën se si institucionet janë duke e trajtuar politikën e jashtme, por nuk e zë ngoje fare emrin e Ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj.

“Është një pështjellim dhe gabim shumë i madh strategjik që Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të emërojë aq shumë ekzekutues të politikës së jashtme. E them me keqardhje që politika e jashtme e Kosovës sot është pa adresë të qartë. Është pa adresë të saktë, sepse nuk dihet kush e bën politikën e jashtme. Nuk dihet kush e ekzekuton politikën e jashtme. Nuk dihet cili është mekanizmi veprues i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Hyseni të premten, në një bisedë për Express.

“Në rrethana normale, në shtete normale, është Qeveria përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme, ai dikaster që e bën planin e punës dhe veprimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkaq, shërbimi diplomatik i vendit është instrumenti ose mekanizmi që zbaton përkatësisht mekanizma veprues të politikës së jashtme, është diplomacia e vendit”, ka shtuar ai.

Qeveria para disa ditësh ka miratuar një dokument (Strategjinë për njohje), me të cilin synon të përmbyllë njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Hyseni thotë se nuk e ka parë këtë dokument dhe shfaqet dyshues rreth sukseseve që mund të arrijnë institucionet në fushën e njohjeve duke u mbështetur në të.

“Unë nuk di çfarë strategjie është ajo, uroj të jetë një strategji, siç po proklamohet me pompozitet se do të japë ndonjë fryt. Unë dyshoj. Kam dyshime të thella, sepse jo rrallëherë janë bërë shumë strategji, por kanë mbetur veç në letër. Ndërkaq, veprime konkrete, analiza konkrete për secilin shtet veç e veç, ato janë bërë në vazhdimësi nga MPJ’ja. Janë pasur parasysh vazhdimisht gjatë lobimit për njohje”, ka thënë Hyseni.

Ish-Ministri thotë se do të dëshironte që ky dokument të sjellë efekte praktike.
“Me rëndësi është që të arrihet njohja, le t’i presim efektet konkrete të kësaj strategjie, e cila po proklamohet, e për të cilën unë nuk dua të flasë ende, sepse nuk e kam parë”, ka pohuar ai.

Por disa përshkrime që janë bërë në dokumentin e MPJ’së i quan të panevojshme, derisa thekson se ajo që ndikon më së shumti në shtimin e njohjeve, është puna me shtetet sponsore të pavarësisë.

“Po e them se efekti është te puna e vazhdueshme që duhet të bëhet te qendrat kryesore të vendimmarrjes edhe në planin e konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, edhe në rrafshin ndërkombëtar, edhe në planin e kontraktualitetit të Kosovës me botën”, ka thënë ai.

E pikërisht për qendrat kryesore që kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës, Hyseni ishte ankuar, pasi e kishte lënë postin e Ministrit të Jashtëm, vitin e kaluar.
Ai nuk pranon të thotë nëse këto shtete tashmë kanë shtuar angazhimin e tyre për të siguruar njohje të reja për Kosovën.

“Kosova ka të drejtë të kërkojë nga miqtë e vet ndihmë dhe përkrahje. Dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë të sinqertë dhe qartë, pa frikën e keqinterpretimit. Nëse nuk keni guxim t`i shtroni kërkesat tuaja, askush nuk do t`ju marrë parasysh. Edhe një herë ta sqaroj, asnjëherë nuk kam kritikuar askënd. Kam kërkuar më shumë me plot të drejtë, sepse qysh në New York, në shtator, unë kam tërhequr vërejtjen se Rezoluta që bën ftesë për dialog me Serbinë, mund t`i ndërpresë njohjet. Dhe, këtë brengë e kam shfaqur në takim, pikërisht me partnerët kryesorë të Kosovës. Dhe, fatkeqësisht ai vlerësim ka dalë i saktë. Ai parashikim ka dalë i saktë”.

Për të ilustruar ndikimin që kanë shtetet e mëdha, Hyseni merr shembull Spanjën, e cila bashkë me katër shtete të tjera nuk e ka njohur ende pavarësinë.

“E kam thënë disa herë, po e përsëris prapë: Kosova duhet ta bëjë punën gjithsesi, mirëpo Kosova e vetme asnjëherë nuk do ta bindë Spanjën që ta njohë pavarësinë. Për 22 vendet e BE’së që e kanë njohur Kosovën, mund ta bëjnë këtë. Mund ta ndihmojnë Kosovën që të bindet Spanja që ta njohë Kosovën”, thotë ai.

Ministri Hyseni shfaqet më kritik, kur është fjala për lobimin që është duke e bërë zëvendëskryeministri Pacolli, i cili është i ngarkuar pikërisht me këtë çështje nga Kryeministri Thaçi.

Pacolli kishte qenë kritik i ashpër i Hysenit, vitet e kaluara, duke u ankuar për mungesë hapësire dhe respekti nga MPJ’ja e dikurshme.

“Unë kujtoj që në planin e njohjeve dhe të lotimit, z. Pacolli ka punuar shumë keq. Vazhdon akoma më keq dhe unë prapë po e përsëris se nuk kam asnjë shpresë se ai do ta ndryshojë këtë metodë pune. Kaq do të them. Nuk do të them asgjë më shumë”, ka thënë ai.

Si reagim, Pacolli ditë më parë kishte ftuar Hysenin që t’i bashkohet procesit të lobimit për njohje.

Ish-Ministri thotë se nuk ka marrë ftesë nga askush për të bërë këtë punë. Por shpjegon se në betejën për të siguruar sa më shumë njohje, bën pjesë edha ai.

“Unë mbaj kontakte me ministra të shumtë të jashtëm të vendeve të botës që nuk e kanë njohur Kosovën. Mirëpo, po ju them, është hera e parë kjo dhe ju siguroj se do të jetë hera e fundit që flas për këtë. Këtë e bëj për çdo ditë përmes ndonjë telefonate, qoftë përmes e-mailit dhe kontakteve që mbaj. Kontaktet janë të shumta, janë normale, janë miqësi që janë krijuar gjatë njëzet vjetëve. Nuk janë krijuar për njëzet sekonda, njëzet orë, por janë miqësi që janë krijuar gjatë njëzet vjetëve të kaluara. Është krejtësisht e natyrshme që unë do të vazhdoj t`i mbaj ato lidhje dhe do t`i përdor të gjitha mundësitë e mia që t`i përdor ato lidhje të mia në funksion të konsolidimit të shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›