Epilogu i Tisës
Agush e Shehize Agushi morën të premten rrugën nga fshati Zhegër i Gjilanit, për të ardhur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Udhëtimi i tyre kishte një arsye të fortë - ata do të kuptonin vendimin e gjykatës për personat, të cilët, sipas tyre, ia morën jetën djalit të tyre, Ilirit.
Agushi e Shehizja ishin të pranishëm në sallë, momentin kur Gjykata e Qarkut shqiptoi dënimin prej 66 vjetësh burgim për shtatë të pandehurit, të përfshirë në tragjedinë e lumit Tisa, ku patën humbur jetën 15 persona, në përpjekje për të emigruar jashtë. E, njëri ndër ta ishte edhe Iliri, djali i çiftit Agushi.
Shpëtim Ademaj është dënuar me 17 vjet burgim dhe 200 mijë euro gjobë, Avni Hajdari me 19 vjet dhe 250 mijë euro gjobë, Ismail Krapi dhe Shaip Selmani me nga 8 vjet, Fatmir Pajaziti me 7, Blerim Ademaj me 5 dhe Xhemail Halilaj me 2 vjet burgim me kusht, ndërkaq Rabit Ajvazi është liruar më herët nga akuzat.
Por, Agush Agushi u shpreh i pakënaqur me dënimet e dhëna. Ai tha se fajtorët për vdekjen e të birit janë dënuar shumë pak, krahasuar me atë çfarë kanë bërë në tetorin e vitit 2009.
“Këto vite që këta do t’i kalojnë në burg nuk janë asgjë në krahasim me faktin se djali im ka humbur jetën në lumë”, foli ai plot shqetësim, përderisa bashkëshortja e tij, Shehizja, tha se vdekja e djalit të saj nuk krahasohet me asgjë. “Pikëllimi dhe forma se si unë e kam humbur djalin nuk krahasohen me vitet e burgut, të cilat iu shqiptuan fajtorëve”.
Shyhrete Asllani nga Vushtrria, e cila në tragjedinë e Tisës e ka humbur vajzën, dhëndrin dhe dy nipat. Ajo tha se, as dënimi me burgim të përjetshëm nuk ia kthen asaj të dashurit që iu mbytën në lumë. “Edhe po t’u shqiptohej burgim i përjetshëm fajtorëve, nuk do të ishte vendim që do të shuante atë çfarë kemi përjetuar ne”.
Por, krejt ndryshe nga familjarët e viktimave mendojnë avokatët e të akuzuarve.
Bajram Tmava, avokat mbrojtës i Avni Hajdarit, beson se dënimi i shqiptuar për klientin e tij është shumë i rëndë. “Unë menjëherë do ta paralajmëroj aktvendimin për ankesë, pasi si avokat mbrojtës, nuk mund ta pranoj një dënim kaq të rëndë”, tha Tmava.
Njësoj sikurse edhe gjatë gjykimit, ai fajësoi Evropën që nuk ua ka mundësuar shqiptarëve të udhëtojnë lirshëm. “Shqiptimi i dënimeve kaq të larta është ekskluzivisht që të mbrohen shtetet e Evropës. Derisa ajo vazhdon të na pamundësojë udhëtim të lirë, raste të tilla do të ndodhin sërish”.
Pesëmbëdhjetë personat humbën jetën derisa po përpiqeshin të kalonin me barkë përmes lumit Tisa, për të arritur nga Serbia në Hungari dhe për të vazhduar pastaj në vendet e tjera evropiane.
Sipas aktakuzës që ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në natën mes 14 dhe 15 tetorit të vitit 2009, një grup prej 18 kosovarësh ishte trafikuar dhe kishte pësuar derisa po udhëtonte me barkë.
Emigrantët, sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori special, Besim Kelmendi, ishin dërguar në atë pjesë nën organizimin e një grupi ndërkombëtar kriminal, përkatësisht nga një rrjet që merret me trafikimin e qenieve njerëzore. Barka ishte përmbysur, ndërsa nga 18 personat, vetëm tre kishin mbijetuar.
Të akuzuarit ngarkoheshin se kanë bashkëpunuar si grup kriminal dhe janë marrë me trafikimin e qytetarëve të Kosovës, duke përfituar shuma të majme parash. Grupi ishte zbuluar pas tragjedisë, së cilës i ka shpëtuar vetëm Blerim Rama me dy fëmijët e tij.
Përveç kosovarëve, për të cilët është marrë vendimi për burgim, në mars të këtij viti, policia e Serbisë ka arrestuar edhe Josip Djurasevicin, Atila Shiposhin, Joso Karimovicin, Goran Marovicin dhe Jovanka Koledin, që të gjithë nga Subotica, si dhe Abedin e Ardin Hisenin nga Bujanoci. Ata dyshohet se kanë drejtuar këtë rrjet trafikimi përmes lumit Tisa.