E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftime të ashpra në Libi

Nga Express më 18 qershor 2011 në ora 12:53

Kryengritësit dhe forcat besnike të Muammar Gaddafit, janë përballur në mes veti në një pjesë të territorit që është nën kontrollin e qeverisë, në lindje të kryeqytetit Tripoli.

Raportohet se të dy palët kanë shkëmbyer zjarr nga artileria e rëndë në mes veti në Zlitan, rreth 160 kilometra larg prej Tripolit. Aeroplanët e NATO-s ndërkohë i kanë vazhduar bombardimet në kryeqytetin libian, ku janë dëgjuar gjashtë shpërthime.

Avancimet e kryengritësve në drejtim të kryeqytetit Tripoli kanë qenë të ngadalshme, ndërsa disa javë që prej nisjes së sulmeve kundër zonave të Gaddafit dhe caqeve të tjera, ende nuk shihet fundi i regjimit 41 vjeçar të liderit libian.

Me një qëndrim mospërfillës, Gaddafi u zotua të mposhtë NATO-n, pasi sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtar tronditën Tripolin gjatë ditës.

Duke thirrur dhe duke trimëruar popullin libian që të mos mposhtet, Gaddafi, me anë të një audio-porosie, që u transmetua nga televizioni, u zotua të mos japë dorëheqjen me gjithë thirrjet e udhëheqësve botërorë.

Porosia u transmetua, ndërsa televizioni shtetëror i Libisë tregonte pamje të një manifestimi pro-Gaddafit në një shesh të Tripolit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›