Diplomacia reale dhe nevojat e Shqipërisë
Ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për politikën e jashtme të Shqipërisë dhe për rolin e saj në rritje. Sot, Republika e Shqipërisë, është shumë afër realizimit të objektivave të saj strategjike dhe kombëtare. Ne duhet të jemi krenarë për këtë fakt, por duhet të jemi të përgjegjshëm se, në këto momente, nga të gjithë ne, por sidomos nga përfaqësuesit e trupit tonë diplomatik në botë, kërkohet me shumë përkushtim, përgjegjësi, profesionalizëm dhe atdhedashuri.
Në një kohë që, interesat kombëtare dhe ato globale, janë gjithnjë e më shumë të lidhura dhe të ndërthurura, politika e jashtme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Misionet tona Diplomatike jashtë, duhet të ndërtojnë vizione dhe strategji afatmesme dhe afatgjata, jo vetëm për të përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e vendit tonë, por sidomos për t’i siguruar atij pozicionin që meriton në rajon, në Europë e në Botë, në NATO e në Bashkimin Europian. Kjo nuk është vetëm detyrë apo angazhim profesional, ky është një detyrim dhe premtim ndaj gjithë popullit shqiptar, ndaj ëndrrës, dëshirës e vullnetit të palëkundur të tij, ky është mision historik dhe kombëtar, kjo është një sfidë.
Shqipëria është duke jetuar momente shumë të rëndësishme, politike, ekonomike dhe sociale. Ndryshimet demokratike kërkojnë reforma shumëplanëshe, reformat kërkojnë ligje funksionale dhe gjithëpërfshirëse, ligjet kërkojnë vullnet politik e angazhim profesional. Shërbimi i jashtëm i Shqipërisë duhet të bëhet përcjellës, zëdhënës dhe pasqyrues i këtyre të vërtetave të rëndësishme shqiptare pranë kancelarive të aleatëve dhe partnerëve tanë.
Në këtë proces të rëndësishëm të komunikimit dhe të informimit, diplomatët shqiptarë duhet të njohin shumë mirë realitetin shqiptar dhe të jenë realistë në përshkrimin e tij. Shqipëria nuk është parajsa mbi tokë. Së pari, ata duhet të jenë të sinqertë në pasqyrimin, si të arritjeve, ashtu edhe të vështirësive që has demokracia jonë e re. Së dyti, ambasadorët shqiptarë, por edhe Ministria e Punëve të Jashtme, duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe të përcjellin në një kohë sa më të shpejtë këshillat e kancelarive perëndimore dhe miqve tanë për zhvillimet në Shqipëri.
Së fundmi, diplomatët shqiptarë nuk duhet të reshtin së trokituri në dyert, jo vetëm të institucioneve zyrtare, por sidomos të mediave të huaja, të organizatave jofitimprurëse, të opinionbërësve dhe të bisnesit, të elitave intelektuale dhe kulturore me qëllim që Shqipëria dhe zhvillimet e saj pozitive të pasqyrohen me realizëm, me qëllim që opinioni publik i vendeve ku janë akredituar të perceptojë dhe të na gjykojë mbi vlerat dhe traditën që mbartim dhe përpiqemi të pasurojmë.
Diplomacia shqiptare duhet t’u përshtatet zhvillimeve dhe dinamikës së marrëdhënieve ndërkombëtare aktuale. Sistemi klasik i marrëdhënive dypalëshe pothuajse nuk qëndron më. Zhvillimi dhe sfidat janë rajonale dhe globale. Teknologjia dhe komunikimi nuk janë më monopol, ashtu si edhe konkurenca dhe krizat e mundshme. Shqipëria është një vend i vogël. Potencialet dhe energjitë tona, aftësitë dhe profesionalizmin tonë, mundësitë dhe ekonominë tonë, duhet t’i përdorim vetëm për të përmbushur misionet tona strategjike integruese. Politika e shpërndarjes gjeografike të misioneve tona diplomatike, si dhe strukturimi i personelit diplomatik, duhet t’i marrë në konsideratë këto prioritete, argumente dhe vlerësime.
Qëllimet dhe aktiviteti diplomatik i Shqipërisë, në radhë të parë, duhet të shikojnë drejt Brukselit, të shumojnë kontaktet me NATO-n dhe Bashkimin Europian, të përballen me sukses me dinamikën integruese dhe t’i ofrojnë politikës shqiptare modele, standarde dhe programe zhvillimi për një Shqipëri të integruar.
Ne jemi të vendosur të bëhemi anëtarë me të drejta të plota në NATO dhe do të vazhdojmë të përmbushim dhe të respektojmë standardet demokratike që kërkohen nga ky anëtarësim. Procesi i ratifikimit të protokolleve të anëtarësimit nga vendet anëtare të Aleancës është, sa vlerësues, aq edhe nxitës për të forcuar demokracinë dhe standardet. Ratifikimi i shpejtë dhe unanim nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregon se, demokracia dhe liria në Shqipëri, nuk janë monopol vetëm i politikës shqiptare, por edhe i aleatëve që vazhdojnë të investojnë për të.
Ne do të zhvillojmë marrëdhëniet me vendet fqinjë sipas vizionit europian të politikave të përbashkëta të mirëkuptimit, të bashkëpunimit dhe të integrimit. Qëllimit të përbashkët për t’u integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike, duhet t’i shërbejnë politikat lokale e rajonale për paqe, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm. Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të luajnë rolin e rëndësishëm moderues ndaj ngjarjeve në rajon. Ne do të mbetemi aleatë të besueshëm të zbatimit të politikave për zhvillim, siguri e integrim, që projektohen në tryezat e NATO-s, apo të Bashkimit Europian.
Ngjarja më e madhe në historinë moderne të shqiptarëve, pavarësia e Kosovës, fitorja e të vërtetës historike, u prit nga Shqipëria me gëzim dhe realizëm. Lufta e vazhdueshme që shqiptarët bënë ndaj padrejtësisë, ndaj dhunës dhe gjenocidit etnik, kalbëzimi i sistemit diktatorial jugosllav dhe angazhimi serioz i aleatëve euroatlantikë, kulmuan logjikshëm me shtetin e ri të Kosovës. Ky realitet i ri gjeopolitik, përfaqëson një investim dyplanësh. Zgjidhi përfundimisht krizën e përgjakshme jugosllave dhe hapi kapitullin e fundit integrues për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Njohja e menjëhershme e këtij realiteti nga shtetet më të rëndësishme anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, por sidomos ajo nga vendet fqinje me Kosovën, përveç Serbisë, provojnë se rajoni ka ndryshuar pozitivisht dhe jep shpresën e pakthyeshme për një të ardhme më të mirë. Kushtetuta e Kosovës dhe Paketa e Presidentit Ahtisari ofrojnë mundësitë e pakrahasueshme për zhvillim të barabartë të pakicave dhe pjesëmarrje të privilegjuar dhe të monitoruar të tyre në nivelin lokal dhe atë qendror. Institucionet e Kosovës po tregojnë shume seriozitet në aplikimin e tyre integruese dhe balancuese ndaj pakicave serbe, si dhe po ofrojnë politikë të fqinjësisë së mirë ndaj Serbisë.
Sfida e procesit të njohjes së Kosovës, është detyrim për diplomacinë shqiptare. Ne duhet të ndërtojmë strategji të përbashkëta me diplomacinë e re kosovare dhe me aleatët tanë në shërbim të kësaj çështje të rëndësishme, në interes të sigurisë, paqes dhe të ardhmes së rajonit.
Shërbimi me jashtë i Republikës së Shqipërisë duhet urgjentisht të ndërtojë një strategji të re për diasporën shqiptare në botë, diasporën e re dhe atë të vjetër. Detyrë parësore duhet të jetë mbrojtja e interesave dhe dinjitetit të shtetasve tanë në vendet ku ata kanë shkuar për një jetë më të mirë, ndjekja dhe zgjidhja e vështirësive që ata dhe familjet e tyre hasin, mbështetja ndaj nevojave që ata kanë për ruajtur identitetin, kulturën dhe gjuhën tonë.
Ndërtimi i menjëhershëm i qendrave kulturore shqiptare, sidomos në ato vende ku numri i shqiptarëve është i konsiderueshëm është ndoshta edhe më i rëndësishëm se ndërtimi i një shkolle apo i një biblioteke në Shqipëri. Një vend, i cili, më shumë se 25 përqind të popullsisë së vet e ka diasporë të re, duhet patjetër të përgjigjet për të dhe të ardhmen e saj.
Shërbimi i jashtëm i Shqipërisë duhet, jo vetëm profesionalisht t’i përshtatet sfidave që vendi ynë ka përpara tij. Ai duhet të jetë përfaqësues, dinjitoz por sidomos produktiv. Investimi që taksapaguesit shqiptarë bëjnë për hapjen, mbajtjen e përfaqësimeve tona diplomatike dhe të shërbimit tonë me jashtë duhet të përkthehet në prurje të investime të huaja për ekonominë shqiptare, në projekte infrastrukture, në faqe dhe ekrane mediash proshqiptare, në vlera të prekshme të drejtpërdrejta ndaj mirëqenies së qytetarëve tanë. Ky është shërbimi më i mirë i diplomacisë sonë, ky mbetet kriteri kryesor i vlerësimit të misionit të saj.
Pavarësisht se shërbimi diplomatik konsiderohet, nga shumica që nuk e njohin, një luks, në të vërtetë është një mision shumë i vështirë, është një mision fisnik, është një mision, për të cilin ne të gjithë duhet të kemi vlerësim.
Kështu që unë dëshiroj t’i inkurajoj përfaqësuesit e trupit tonë diplomatik në botë për gjithçka kanë bërë, sepse integrimi i Shqipërisë, qoftë në NATO, qoftë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, padyshim është edhe një kontribut i jashtëzakonshëm i tyre, i Ministrisë së Punëve të Jashtme, i të gjithë miqve. Pa kontributin e të gjithëve, nuk do të mundnim sot të vlerësonim këto arritje të diplomacisë shqiptare.