E Diel, 1 Nëntor 2026

Tellallisja dhe frikacakët

SPOTET NË TELEVIZIONE

Oooo milet! Dëgjoni e mbani vesh! Qeveria... Ka nja dy muaj që nuk mundemi të ndërrojmë kanalet e televizioneve pa u ndeshur me ndonjë spot qeveritar që na përmbyt me shifra suksesi: për eleminimin e varfërisë, mijëra vende pune të krijuara, qindra biznese të reja që lulëzojnë anembanë Shqipërisë, dhe dhjetëra korporata ndërkombëtare që po nxitojnë të hapin filialet e tyre, turistë e rrugë pa hesap. I lumtë qeverisë!

Ç’ka unë, dhe mijëra qytetarë si unë nuk kuptojmë, është se, përse kjo qeveri ka nevojën për të na i treguar këto arritje (dhe këtë e bën pacipërisht me paratë e taksave tona), të cilat afërmendsh ne do t’i shihnim me sytë tanë nëse ato ekzistojnë vërtet?!

Një fushatë publicitare e sponsorizuar prej qeverisë do të ishte e justifikuar vetëm nëse do të synonte sensibilizimin e publikut për një kauzë a qëllim në shërbim të publikes (p.sh. një fushatë për të rritur ndjeshmërinë ndaj ndotjes së mjedisit, apo luftën ndaj analfabetizmit), por edhe në këtë rast, fushata, dhe çdo detaj i saj, do të duhej të monitorohej me shumë kujdes për të evituar të ashtuquajturin ‘ndërtim/konsolidim të imazhit të qeverisë’, pasi kjo do të ishte e papranueshme për një demokraci.

Është shumë shqetësues fakti që qeveria shpenzon shifra marramendëse nga paratë e taksave për të blerë kohë televizive në media (vetëm transmetimi i spotit të kryeministrit ka kushtuar rreth 1 milion euro). Deri diku, i vendos këto media nën lakun e financimeve të majme shtetërore (të tanishme apo eventuale), por nuk është kjo çështja të cilën kërkoj të debatoj.

Më shqetësuese është arsyeja se përse qeveria po i harxhon këto para duke u përpjekur të mashtrojë të madh e të vogël, pikërisht tani, veç 7 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. E vetmja përgjigje logjike për këtë fushatë agresive reklamimi nga qeveria, është ekzistenca e frikës!

Kjo mazhorancë është e frikësuar sepse nuk ka përmbushur as në mënyrë sipërfaqësore premtimet që u dha shqiptarëve në vitin 2005. Eshtë e frikësuar sepse gjendet e zhytur deri në grykë në skandale korruptive që përfshijnë shkallët më të larta të ekzekutivit, është e frikësuar pasi shqiptarët janë varfëruar prej 2005-ës, papunësia është rritur edhe më, investimet e huaja janë pakësuar.

Eshtë e patolerueshme që një mazhorancë të vendosë në punë gjithë makinerinë e saj institucionale, strukturore e financiare, për të dominuar diskursin publik në vend. Tragjikomike të shohësh përditë sesi kryeministri dhe ministrat janë transformuar në tellallë të paturp të vetvetes. Dëshpërimi është evident, por edhe dështimi po ashtu. Dielli nuk mbulohet me shoshë!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›