E Diel, 1 Nëntor 2026

Kjo politikë ka bërë që të gjithë të jemi të kapur

Parlamenti është kthyer në një dyqan vetëshërbimi. Për standardin që ka Shqipëria, është luks i shfrenuar që, çdo deputet, të ketë shofer e makinë të paguar nga shteti, pa përmendur favoret e tjera. Rrogat e deputetëve shkojnë në disa mijëra euro pasi, përveç rrogës zyrtare, përfitojne mijëra euro në komisionet e ndryshme që shpikin ligje allashqiptarçe, pas muaj të tërë “pune”.

Ne duam në BE e ata bëjnë sikur BE-ja të mos kishte ligje që i përshtaten Shqipërisë. Të japin përshtypje sikur këto komisione janë kthyer në kurse specializimi për vetë deputetët. Ne të vërtetë duhen disa ligje “shqiptare” që të mbulojnë zullumet e ligjeve të tjera si, 7501, legalizimet e hajdutëve, etj.

E keqja është se, kjo kastë politike e kapur, ka bërë në këto 18 vjet që, çdo banor i Shqipërisë, të jetë në një mënyrë ose tjetër i kapur. Përmend vetëm Gërdecin, shumë nga të dëmtuarit nga ana ligjore nuk mund të përfitojnë ose janë të detyruar të pranojnë çfarë u ofrohet, pasi ndërtimet i kanë pa leje. Çdo i palegalizuar, akoma është një votë e sigurt për pushtetarët në zgjedhjet e ardhshme. Çështja e pronave ka kushtuar e do t’i kushtojë ekonomisë shqiptare miliarda, deri sa një qeveri nuk i jep prioritet zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi.

Edhe mafia ka nevojë për ligjet e saj. Por, çdo mafie në botë, do ta kishte zili mafien politike shqiptare, në pushtet ose opozitë, për këtë shtet demokratiko-mafioz që ka krijuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›