Fratini, Vizat, Votat
Ministri i Jashtëm Italian, Fratini, gjatë vizitës së tij në Tiranë, theksoi se, kusht numër një që Bashkimi Europian të liberalizojë plotësisht regjimin e vizave për shqiptarët, është që, qeveria jonë, të krijojë një regjistër të saktë elektronik të të gjithë nështetasve, si dhe t’i pajisë ata, në bazë të tij, me karta identiteti e pasaporta të pafallsifikueshme. Përveç këtij kushti, Fratini përmendi edhe kushte të tjera, si luftën kundër krimit të organizuar, reformën zgjedhore, kontrollin më të mirë të kufijve, etj., të cilat ose janë plotësuar ose janë fare afër plotësimit. Pra, praktikisht, i vetmi mur i lartë që i ndan fizikisht shqiptarët nga Europa sot, pas 18 vjetësh demokraci, janë të shumëlakuarat karta identiteti e pasaporta të pafallsifikueshme. Pasi nështetasit shqiptarë të pajisen me to, gjasat janë të mëdha që ata të kenë mundësinë të bëjnë atë që, sivllezërit e tyre bullgarë e rumunë, e kanë bërë që në vitin 2001 - të udhëtojnë kudo në Bashkimin Europian, pa pasur nevojë të marrin viza në ambasadat radhëmëdha të Tiranës.
Kryeministri Berisha, kur erdhi në pushtet në vitin 2005, premtoi se zgjedhjet lokale të vjeshtës 2006, do të kryheshin në bazë të një regjistri të saktë elektronik të të gjithë nështetasve, si dhe me karta identiteti të pafallsifikueshme. Por, pikërisht ngaqë ky premtim nuk u mbajt, zgjedhjet nuk u zhvilluan dot në vjeshtën e 2006-ës. E frikësuar se pozita do keqpërdorte certifikatat e lindjeve, të cilat janë lehtësisht të fallsifikueshme, opozita këmbënguli që të kërkoheshin dy dokumente identifikimi nga çdo zgjedhës. Dhe, pas një shtyrjeje më se 6 mujore të datës së votimit, u arrit një kompromis që prodhoi më së fundi zgjedhje. Por ato zgjedhje nuk u certifikuan si të lira e të ndershme nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe, ndoshta jo rastësisht, opozita fitoi pothuaj në të gjithë qytetet e mëdha, ndërkohë që pozita fitoi në shumicën e komunave, ku edhe manipulimet me dokumentat e identifikimit mund të bëheshin më kollaj...
Duke ardhur në ditët e sotme, fjalët që Ministri i Jashtëm Italian, Fratini, tha në Tiranë rreth perspektivës së liberalizimit të plotë të vizave deri në qershor 2009, përbëjnë ndoshta kyçin e fitores së Berishës në zgjedhjet e 2009-ës, por ndoshta dhe kyçin e humbjes së tij. Dilema, në të cilën ndodhet Berisha në lidhje me liberalizimin e plotë të vizave, të kujton personazhin kryesor të romanit të mirënjohur amerikan “Catch-22” (përkthimi i përafërt në shqip: Gracka-22), i cili vuante ngaqë zgjidhja që gjente për të shpëtuar nga një situatë e vështirë, e fuste në një situatë tjetër akoma më të vështirë.
Kështu, në qoftë se qeveria bën pajisjen e nështetasve me karta identiteti e pasaporta të pafallsifikueshme deri në majin e 2009-ës, e pastaj Bashkimi Europian liberalizon menjëherë vizat, Berisha futet në zgjedhje me realizimin e ëndrrës më të madhe të shqiptarëve në 63 vjetët e fundit - lëvizjen e lirë drejt Europës. Me një dhuratë të tillë në duar, ai me plot gojë, do të mund t’ua kërkonte votat zgjedhësve të lëkundur, të cilët lehtësisht do të falnin zullumet që mund të jenë bërë gjatë qeverisjes së tij. Por Berisha ka aq eksperiencë me Bashkimin Europian, sa ta dijë se burokracia e Brukselit, nuk lëviz dhe aq shpejt sa ç’mund të krijohet përshtypja nga deklarata e Fratinit. Pra, mund të ndodhë që shqiptarët të pajisen me karta identiteti e pasaporta të pafallsifikueshme para zgjedhjeve, por liberalizimi i plotë i vizave të zgjasë për shumë muaj të tjerë. Ose më keq akoma për Berishën, mund të ndodhë që, si kusht suplementar për liberalizimin, të vihet mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme...
Dhe ç’do të ndodhte në këtë rast? Marshi i manipulimit të votës do të zvogëlohej ndjeshëm. Kështu, një militant berishist, nuk do të kishte më mundësinë për të votuar dy herë - një herë si Hasan e një herë si Hysen. Dhe kur mundësia për manipulim, kësisoj, të zvogëlohej, Berisha do të përballej me një rezultat që do të ishte shumë afër së vërtetës.Por përse Kryeministri duhet t’i druhet një rezultati të tillë?
Në vitin 2005, kur Berisha dha realisht shpresën se do të çrrënjosej korrupsioni në Shqipëri, koalicioni i tij arriti të marrë vetëm 41.4% të votave të shqiptarëve. Por me ato vota, në qoftë se do të ishte përdorur sistemi aktual elektoral dhe jo ai që u përdor në 2005-ën, Berisha nuk do ishte bërë dot Kryeministër. Pse? Sepse sistemi aktual është, në thelb, një sistem proporcional. Dhe problemi është se, aktualisht, mbizotëron në elektorat perceptimi se korrupsioni nuk është pakësuar edhe aq gjatë qeverisjes së Berishës. Për shembull, sipas Transparency International, 70% e shqiptarëve thonë se kanë paguar të paktën një herë ryshfet gjatë vitit të fundit. Në këto kushte, është vështirë të imagjinosh se përqindja e votave, pro koalicionit qeveritar, do të jetë rritur krahasimisht me 2005-ën.Gjithashtu, Berisha nuk mund të shpresojë më si atëhere tek përplasja e kandidatëve të PS-së me të LSI-së në zonat mazhoritare - tani votohet për lista partiake e jo për individë të veçantë. Me pak fjalë, ndoshta të vetmen shpresë për fitore, ai do e gjente tekmanipulimi i zgjedhjeve. Mundësia e të cilit do zvogëlohej ndjeshëm me pajisjen e votuesve me karta të pafallsifikueshme të identitetit...
Po në qoftë se Berisha do të zgjidhte ta zvarriste, si deri më sot, pajisjen e shqiptarëve me kartat e identitetit, çfarë do të ndodhte? Kuptohet që mundësia për manipulim do të rritej.Por atë që do fitonte me votat e trukuara, Kryeministri do e humbte me votat reale. Pse do të ndodhte kështu? Sepse shqiptarët e dëgjuan me veshët e tyre Fratinin të thoshte, në mes të Tiranës, se besonte që, në qershor të 2009-ës, do të liberalizoheshin vizat, në qoftë se qeveria do t’i pajiste shqiptarët me karta identiteti e pasaporta të pafallsifikueshme. Pra, votuesit do t’ia vinin fajin Berishës që i pengoi të realizonin ëndërrën e tyre 63-vjeçare....