Diplomat false, lirohet përkthyesi,“burg pa afat” rektorit të rremë
TIRANE – Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për tre nga personat e akuzuar për falsifikimin e diplomave të Juridikut, të arrestuar pak ditë më parë. Ndërsa për të akuzuarin e katërt togat e zeza caktuan masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”. Medat Kasa, Anai Muça, Fadil Gurri dhe Adriatik Koçi u paraqitën dje përpara gjyqtares Rrezarta Vigani, të Gjykatës së Tiranës, për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj tyre gjatë kohës së hetimeve. Burime pranë seancës bënë të ditur se të pandehurit nuk kanë shfaqur pretendime gjatë seancës. Nga ana e avokatëve të tyre mbrojtës është kërkuar masë më e lehtë sigurie se ajo e arrestit me burg. Po sipas burimeve, përfaqësuesi i prokurorisë ka kërkuar lënien në qeli të të akuzuarve Medat Kasa, Anai Muça dhe Fadil Gurri, ndërsa caktimin e masës “detyrim paraqitje” për Adriatik Koçin. U mësua se në vendim gjykata pranoi kërkesën e përfaqësuesit të akuzës. Tregtarët Medat Kasa, Anai Muça e Fadil Gurri si dhe përkthyesi i gjuhëve të huaja Adriatik Koçi u arrestuan pak ditë më parë nga seksioni Antikorrupsion dhe Task Force i Policisë së Tiranës në operacionin e koduar “Juristi”. Sipas hetimeve dyshohet se ata u shisnin personave të ndryshëm diploma të falsifikuara të Fakultetit të Juridikut në këmbim të shumave prej 7 mijë euro. Sipas burimeve pranë organit të akuzës mësohet se personi që dyshohet të jetë kreu i grupit të falsifikimit ishte Medat Kasa, i cili u premtonte personave të ndryshëm diplomat. Ndërsa të akuzuarit Muça dhe Gurri dyshohet të jenë “sekserët” që bindnin personat se diplomat ishin të rregullta. Ndërsa për përkthyesin Koçi burimet pohuan mospërfshirje të tij direkte në veprimtarinë e paligjshme. Pas arrestimit policia u ndaloi dhe sekuestroi atyre një diplomë të Fakultetit të Drejtësisë të plotësuar, një listë notash të plotësuar, një shumë prej 7 mijë eurosh si edhe çertifikata, fotografi dhe vula. ar.ba