Kryeprokurori i Tiranës kërkon emërimin në Apel
TIRANE – Drejtuesi i Prokurorisë së Shkallës së Parë të kryeqytetit, Genti Xholi ka kërkuar emërimin e tij në Prokurorinë e Apelit, duke lënë kështu vakant, funksionin e kryeprokurorit të rrethit. Pak ditë më parë, kandidatura e prokurorit aktual të rrethit Tiranë është shqyrtuar në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesën për emërim në Prokurorinë e Apelit. Në këtë institucion kishte mbetur një vend vakant për prokuror, në të cilin ka kandiduar kreu i prokurorisë së Tiranës. Pas shqyrtimit të kandidaturës, Këshilli ka vendosur me katër vota, t’i propozojë Prokurores së Përgjithshme Ina Rama, emërimin e kryeprokurorit aktual të Tiranës në Prokurorinë e Apelit, një hallkë më lart sesa institucioni ku Xholi kryen detyrën aktualisht. Sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme, shefi i prokurorisë së Tiranës ka kërkuar të emërohet prokuror i thjeshtë në Prokurorinë e Apelit duke u larguar kështu me dëshirë nga detyra që mban aktualisht. Pas dërgimit të kandidaturës në Zyrën e Prokurores së Përgjithshme, në rast se kjo e fundit e miraton atë, dosja i kalon Presidentit të Republikës për dekretimin e emërimit. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Prokurorisë ka hedhur në votim edhe disa kandidatura për emërime të tjera në prokurori. Pas shqyrtimit të të dhënave, është miratuar me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit, emërimi në Prokurorinë e Tropojës i oficerit Admir Strunza. Sipas Këshillit, i është propozuar Prokurores së Përgjithshme plotësimi i një vendi vakant në Prokurorinë e Tropojës, për të cilin u regjistruan dy kandidatë nga të cilët Admir Shtrunza mori shumicën e votave.