E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse vonon reforma zgjedhore?

Dritan Ylli

Përpjekjet e sforcuara të lidershipit aktual të Partisë Socialiste për të mbajtur artificialisht të gjallë një krizë krejtësisht të panevojshme dhe për më tepër të paqenë, duket se e ka një qëllim, që ndodhet poshtë pjesës së dukshme të ajsbergut. Diçka tjetër ka, përtej kërkesës për “transparencë”, që duke u përdorur dendur është kthyer në një fjalë monotone në veshët e qytetarëve, duke e humbur edhe qëllimin demokratik, që përmban në vetvete. Duke bërtitur gjithë ditën, në çdo vend dhe deklaratë për transparencë të zgjedhjeve, që realisht kanë një vit të vulosura, PS po mban peng edhe nisjen e një reforme zgjedhore, që do të garantonte pikërisht atë proces të drejtë dhe të ndershëm të zgjedhjeve vendore, që kushtetutshmërisht duhet të mbahen për afro një vit.
Duket se edhe ndërkombëtarët janë më shumë të interesuar për të garantuar një proces të ardhshëm zgjedhor të rregullt dhe të pakontestueshëm, duke reflektuar vërejtjet e bëra nga OSBE-ODIHR, për të eliminuar të gjitha defektet që u vunë re në zgjedhjet e fundit parlamentare. Deklarata më e fundit që erdhi nga Parlamenti Europian ishte më shumë se rekomandim për të nisur urgjent reformën zgjedhore. Maxhoranca aktuale e përbërë nga Partia Demokratike dhe LSI kanë shprehur gatishmërinë e tyre prej kohësh, për të nisur hartimin e një reforme zgjedhore bazuar në vërejtjet e OSBE-ODIHR. Madje LSI, si një forcë konstruktive dhe koherente në përpjekjet e saj të vazhdueshme për inicimin e procesit për një reformë zgjedhore të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, i ka bërë herë pas here apel spektrit politik. Por nuk ka qenë e njëjta gatishmëri konstruktive nga ana e PS, për nisjen e punës, për garantimin e një procesi të ardhshëm zgjedhor që të mos kishte kontestime. Nëse do të kishte vërtet një qëllim të mirë nga politika që të mendonte vërtet për domosdoshmërinë e bërjes së zgjedhjeve të ardhshme të ndershme dhe demokratike, atëherë nuk do të duhej që të humbej asnjë minutë kohë për nisjen e reformës. Por, Rama dhe ata që e ndjekin pas në këtë ndërmarrje aventureske deri në tepri, dhe aspak të dobishme në atë çfarë pritet aktualisht nga opozita, më shumë janë të interesuar që të shkojnë deri në zgjedhje vendore, pa nisur një proces serioz për reformën zgjedhore.
Ka dy argumente që e përligjin këtë arsyetim. E para, nisur nga humbja e zgjedhjeve të para një viti, Rama i druhet pasimit të një humbjeje tjetër, që do të ishte shumë e rëndë për të dhe do të luhaste fuqishëm pozitat e tij në krye të PS, që për momentin i kanë tejkaluar pozitat e forta, duke shkuar përtej kësaj, deri në pozita autoritariste.
Dhe në këtë rast humbjeje edhe të vendoreve, Rama do të vazhdonte të kontestonte rezultatin, duke e justifikuar me një proces jo të rregullt. Pra, gjithsesi do të linte të hapur një mundësi për të kontestuar një rezultat negativ, që duhet thënë që ka një pritshmëri më të madhe për të ndodhur, në kushtet e një PS-je aktuale të lodhur dhe të drobitur nga beteja të humbura dhe pa rezultat. E dyta, ka lidhje me variantin që kreut aktual të PS i intereson që të shkojë me një situatë krize deri në prag të zgjedhjeve vendore, ku në ato momente të shprehte pasigurinë e tij për të hyrë në një proces që nuk garanton votën e lirë dhe të ndershme. Ky skenar që gjithsesi është më pak i besueshëm, mund të shkojë deri atje sa Rama të mos pranojë të hyjë fare në zgjedhje pa ndonjë garanci paraprake, që vështirë se do ta merrte si njëherë e një kohë, kur kishte Metën aleat në krah. Këtu vlen të merret në konsideratë retrospektiva e shkurtit të 2007, kur Rama mbajti peng zhvillimin e zgjedhjeve, duke krijuar një situatë krize (që vetëm ai di të krijojë të tilla kriza artificiale), vetëm e vetëm që të merrte garancitë që do të donte. Nuk duhet të harrojmë netët e tëra pa gjumë të krerëve të politikës, në zyrën e Presidentit të asaj kohe, duke pritur që të gjendej një zgjidhje që t’ia mbushte mendjen kreut të PS, që ishte edhe kandidati i kësaj partie për Bashkinë e Tiranës. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe.
është e pakuptueshme deri në absurd, sesi një opozitë nuk insiston në nisjen e procesit për bërjen e reformës zgjedhore, e cila do të sillte pikërisht eliminimin e atyre defekteve, që njohën zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar. Ndërkohë që më afër janë zgjedhjet e ardhshme, sesa ato që kanë kaluar, Partia Socialiste duhet të kishte nisur shpenzimin e energjive politike, për të garantuar votën e zgjedhjeve vendore. Nëse Rama është i bindur se ka fituar në qershorin e kaluar, atëherë nuk ka asnjë arsye që këtë bindje të tij ta konfirmojë në zgjedhjet vendore. Për këtë do t’i vlente shumë një votë e garantuar nga një reformë zgjedhore, ndaj edhe përbën habi pasiviteti dhe për më tepër barriera që po i bën kjo opozitë nisjes së procesit.
Gjithsesi Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s dhe një vend, qytetarët e të cilit po bëhen gati të plotësojnë ëndrrën e tyre shumëvjeçare për të lëvizur lirshëm thuajse në të gjithë kontinentin mëmë. Ndaj dhe reforma zgjedhore për të rendur drejt një procesi zgjedhor të ndershëm dhe demokratik do të jetë e pashmangshme. Por vonesat e saj janë të pajustifikueshme, djallëzore dhe me shumë kosto, për lidershipin aktual të opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›