Diplomatët po ja kthejnë shpinën Assadit

Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar dezertimin e dy diplomatëve të tjerë të Sirisë, në periudhën e intensifikimit të përleshjeve ndërmjet forcave të qeverisë dhe kryengritësve në qytetin Aleppo.
Përfaqësuesit e Sirisë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Qipro, që janë çift bashkëshortor, raportohet se janë larguar në Katar.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney, tha se kjo lëvizje tregon se zyrtarët e lartë po largohen nga qeveria për shkak se është e qartë se ditët e presidentit Bashar al-Assad janë “të numëruara”.
Raportohet se edhe atasheu ushtarak në Ambasadën e Sirisë në Oman ka dezertuar.
Njëherësh, forcat e regjimit me trupa dhe me tanke janë nisur në drejtim të qytetit Aleppo, që ishte nën kontrollin e kryengritësve.
Kryengritësit pretenduan se forcat e tyre tash e kontrollojnë gjysmën e qytetit Aleppo, pas gjashtë ditësh të luftimeve.