E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli ia arsyeton Panaritit vendimin për çimenton

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur të enjten në një takim ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti. Gjatë këtij takimi, zëvendëskryeministri Pacolli e ka informuar ministrin Panariti për proceset politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, me theks të veçantë, procesin e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Në këtë takim, thuhet se është diskutuar edhe për vendimin e shumëpërfolur të çimentos, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Pacollit, pasi që pas takimit nuk kishte prononcime për media.

Sipas kësaj komunikate, zëvendëskryeministri Pacolli i ka thënë ministrit të Jashtëm shqiptar, Panariti se “Kosova është duke shënuar progres në konsolidimin si shtet.”

Po ashtu, gjatë këtij takimi, thuhet se është diskutuar edhe vendimi i shumëpërfolur i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë(MTI), të cilën ministri e drejton partia e Pacollit. Në komunikatë thuhet se Pacolli e ka informuar ministrin Panariti edhe për arsyet e vendimit të MTI-së për taksën prej 35 për qind për importin e çimentos.

“Masat e ndërmarra për çimenton nuk janë të drejtuara kundër eksportit të Shqipërisë, por janë masa që janë ndërmarrë për mbrojtjen e tregut nga monopoli që ishte në krijim e sipër si rezultat i çmimeve ‘dumping’. Ky vendim ka mbrojtur punën e më se 500 punëtorëve dhe i ka sjellë buxhetit të Kosovës të hyra të konsiderueshme. Janë masa mbrojtëse që janë ndërmarrë për të mbrojtur prodhuesin vendor, dhe për të stimuluar investimet”, ka thënë Pacolli, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e tij.

Ai ka vlerësuar lart sjelljen e shtetit shqiptar, i cili ka respektuar qëllimet e mira të këtij vendimi.

Në këtë kontekst, thuhet se Pacolli e ka ripërsëritur qëndrimin e tij, që tregjet shqiptare të integrohen në mënyrë që në të ardhmen të evitohen rreziqet të cilat aktualisht sfidojnë ekonomitë e të dyja vendeve.

“Rasti i çimentos tregon se sa të domosdoshme janë takimet bilaterale periodike, ku të diskutohet për çështje të tilla. Ka ardhur koha e një konference të madhe kombëtare, për të sinkronizuar politikat ekonomike, tregtare, kah hapësira e përbashkët ekonomike”, ka theksuar Pacolli.

Pacolli duke i çmuar angazhimet e shtetit shqiptar për angazhimin e vazhdueshëm në përkrahjen e shtetit të Kosovës, për të marrë njohje të reja, Pacolli ka kërkuar nga ministri Panariti që të ketë koordinim edhe në të ardhmen, veçanërisht në prag të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti, ka thënë se MPJ e Shqipërisë dhe gjithë qeveria shqiptare janë në mbështetje të pa rezervë të proceseve politike nëpër të cilat është duke kaluar Kosova. Ministri Panariti, ka thënë se shteti shqiptar, do të vazhdojë fuqishëm të mbështesë ushtrimin e sovranitetit të Kosovës në të gjitha pjesët e territorit.

Gjithashtu, Panariti ka thënë se Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të luajë rolin e vet në lobimin për njohjet e reja për shtetin e Kosovës.

Në këtë kontekst, Panariti ka vlerësuar punën e zëvendëskryeministrit Pacolli, veçanërisht në thyerjen e “akullit” tek vendet afrikane, thuhet ndër të tjera në komunikatën për media të lëshuar nga zyra e zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›