Diplomati u dyshua për grip derri, analizat e para negative
Një diplomat shqiptar dyshohet të jetë i prekur me virusin e gripit të derrave. Pas mbërritjes nga një udhëtim pune në Damask, Siri, S. Rr. ka pasur temperaturë, dhimbje koke, barku dhe të vjella, të njëjtat simptoma që ka edhe ky grip i rrezikshëm. Menjëherë pas kësaj, ai është izoluar në karantinë në pavijonin e infektivit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku po trajtohet me ndihmë mjekësore. Por rezultatet paraprake kanë dalë negative duke rrëzuar mundësinë e gripit të derrave. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, analizat kanë rezultuar negative, çka do të thotë se virusi A/H1N1 nuk ka mbërritur në Shqipëri. Pritet që të bëhen dhe testet përfundimtare, por gjendja shëndetësore e personit në fjalë është përmirësuar dhe analizat e para hedhin poshtë dyshimet e ngritura për virusin meksikan.
Rasti
Ky është rasti i parë i dyshuar për gripin e derrave në Shqipëri, i bërë publik nga instancat shëndetësore. Bartësi i dyshuar, është 57-vjeçari S. Rr., funksionar i lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i sapokthyer nga Damasku i Sirisë. Mësohet se diplomati ka qenë pjesë e delegacionit shqiptar, ku mori pjesë ditën e hënë në kryeqytetin sirian në Konferencën Islamike për rezolutën e Kosovës, i kryesuar nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Pas kësaj, i gjithë personeli i spitalit dhe pacientët janë pajisur urgjent me maska mbrojtëse.
Masat
Në Institutin e Shëndetit Publik do të kryhen të gjitha analizat e duhura dhe ditën e sotme pritet të dalin analizat përfundimtare. Dje paradite drejtori i Repartit të Infektivit, Gazmend Bejtja, sqaroi se tani nuk mund të flitet përveçse për dyshim, pasi do të jetë rezultati i analizave që do të vërtetojë nëse bëhet fjalë për një rast me A/H1N1. Bejtja vuri në dukje se “është në procedurë të punës të tyre të ekzaminojnë çdo rast me temperaturë të lartë, ashtu siç po veprohet edhe në rastin e dyshuar”. Bejtja tha se personi i dyshuar si i sëmurë me grip derrash tani u është nënshtruar analizave. Ai tha se "aktualisht nuk mund të flitet përveçse për dyshim, pasi do të jetë rezultati i analizave që do të vërtetojë nëse bëhet fjalë për një rast me A/H1N1. Dhe në procedurë të punës do të ekzaminohet çdo rast me temperaturë të lartë, ashtu siç po veprohet edhe në rastin e dyshuar”. Sipas drejtorit të ISHP-së në MSH, edhe rasti i dyshuar si i sëmurë me grip derrash tani u është nënshtruar analizave. Por fjala e fundit i takon rezultatit të analizave. Këto të fundit do të përcaktojnë përfundimisht nëse funksionari i lartë është i prekur nga gripi i derrave. Specialistët e shëndetësisë theksojnë se dhe në rast se rezulton pozitiv, nuk përbën rrezik për pjesën tjetër të popullsisë, por thjesht instancat shëndetësore do të shtojnë vigjilencën për rreziqet që paraqet kjo sëmundje.
Virusi, specialistët: Kur duhet të keni kujdes
Virusi A/H1N1 është sëmundje e organeve të frymëmarrjes të derrave e shkaktuar nga virusi i tipit A. Njerëzit, zakonisht nuk sëmuren nga gripi i derrave, por infeksioni ndër njerëz mund të ndodhë. Aktualisht tek njerëzit është raportuar infeksioni me virusin e gripit të derrave, tipi H1N1. Simptomat e gripit të derrave janë të njëjta me ato të gripit të zakonshëm: temperaturë, kollë, dhembje fyti, dhembje trupi, dhembje koke dhe plogështi. Në disa raste mund të paraqitet edhe vjellja dhe diarreja. Ndërlikim më i shpeshtë i sëmundjes është pneumonia. Virusi i gripit të derrave përhapet në të njëjtën mënyrë si gripi i zakonshëm (sezonal). Virusi përhapet nëpërmjet ajrit nga një person në tjetrin gjatë kollitjes dhe teshtitjes së personave të sëmurë me grip. Virusi përhapet edhe duke prekur gojën, hundën dhe sytë me duar të papastra apo gjësendet që përmbajnë virusin e gripit. Personi i infektuar me virusin e gripit të derrave përhap sëmundjen tek personat e tjerë një ditë para se të shfaqen shenjat e sëmundjes dhe shtatë ditë pasi të jenë shfaqur shenjat e sëmundjes. Ekziston terapia antivirusale, e cila duhet të përdoret pas përshkrimit nga ana e mjekut. Terapia në fjalë është e suksesshme, nëse merret sa më shpejt pas paraqitjes së shenjave të sëmundjes.
Greqi, konfirmohet rasti i tretë me gripin e derrave
Shteti fqinj, Greqia, konfirmoi dje në mëngjes edhe rastin e tretë të gripit të derrave në vend. Bëhet fjalë për një të ri grek 20-vjeçar që kurohet tashmë në spitalin AQEPA të Selanikut. 20-vjeçari është shok i një të riu që kurohet prej ditës se djeshme në spitalin “Sismanoglu” të Athinës dhe që u konfirmua si rasti i dytë i gripit të derrave. Të dy studentët janë kthyer nga Edinburgu disa ditë më parë dhe duket se atje janë infektuar me virusin e gripit të derrave. Madje nga instituti “Paster” priten edhe analizat e dyta të një studenti të tretë, i kthyer edhe ai nga Skocia me dy shokët e tij, ndërsa analizat e para kanë dalë negative. Në mëngjesin e sotëm ministri grek i Shëndetësisë zhvillon një mbledhje urgjente në Qendrën Kombëtare të Shëndetit për masat paraprake. Mbi të gjitha është kontaktuar edhe me personat që kanë udhëtuar me studentët nga Edinburgu për t'iu nënshtruar analizave përkatëse pranë spitaleve greke, si dhe më të afërmit e tyre.
Rumani, konfirmohet rasti i parë i gripit të derrave
“Rumania identifikoi dhe konfirmoi dje rastin e parë të infektuar me virusin e gripit H1N1 te një grua 30-vjeçare, e cila ishte kthyer nga Nju Jorku javën e kaluar”, - deklaroi ministri rumun i Shëndetësisë. "Rumania i bashkohet zyrtarisht listës së vendeve të prekura nga virusi H1N1", - deklaroi ministri Ion Bazac gjatë një konference për shtyp. Bazac deklaroi se gruaja kishte jetuar për disa kohë në SHBA. Ajo u shtrua së bashku me tre të afërm të saj në një spital në Bukuresht.
OBSH
Virusi A/H1N1 konfirmohet në 48 vende
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar së fundmi se virusi A/H1N1 rezulton të ketë prekur persona në 48 vende të botës. Sipas OBSH-së, 48 shtete kanë konfirmuar zyrtarisht praninë e gripit të derrit. Deri më tani janë evidentuar 13,398 raste me A(H1N1), duke përfshirë këtu edhe 95 vdekje, ndërkohë që OBSH-ja bën publike dhe hartën e përhapjes së sëmundjes.
Shtetet Numri në total
Rastet e konfirmuara së fundmi
Rastet Vdekjet Rastet Vdekjet
Argjentina 19 0 14 0
Australia 39 0 20 0
Austria 1 0 0 0
Bahrejn 1 0 1 0
Belgjika 7 0 0 0
Brazil 9 0 0 0
Kanada 921 1 0 0
Kili 86 0 12 0
Kina 22 0 2 0
Kolumbia 16 0 0 0
Kosta Rika 33 1 0 0
Kuba 4 0 0 0
Danimarka 1 0 0 0
Ekuadori 28 0 4 0
El Salvadori 11 0 5 0
Finlanda 2 0 0 0
Franca 16 0 0 0
Gjermania 17 0 0 0
Greqia 1 0 0 0
Guatemala 5 0 1 0
Hondurasi 3 0 0 0
Islanda 1 0 0 0
India 1 0 0 0
Irlanda 1 0 0 0
Izraeli 9 0 1 0
Italia 23 0 4 0
Japonia 360 0 10 0
Republika e Koresë 21 0 0 0
Kuvajti 18 0 0 0
Malajzia 2 0 0 0
Meksika 4541 83 367 3
Holanda 3 0 0 0
Zelanda e Re 9 0 0 0
Norvegjia 4 0 0 0
Panamaja 76 0 0 0
Peruja 27 0 0 0
Filipinet 2 0 0 0
Polonia 3 0 0 0
Portugalia 1 0 0 0
Rusia 2 0 0 0
Singapori 1 0 1 0
Spanja 138 0 2 0
Suedia 3 0 0 0
Zvicra 3 0 0 0
Tailanda 2 0 0 0
Turqia 2 0 0 0
Mbretëria e Bashkuar 137 0 0 0
SHBA 6764 10 0 0
Total 13398 95 444 3