Berisha, Ramës: Hiq dorë nga skenarët antizgjedhje
Kryeministri Sali Berisha paralajmëron Edi Ramën se do të dështojë me skenarët antizgjedhjeve, ndërsa kërkoi nga shqiptarët që mos të bien pre e provokacioneve të PS-së. Berisha i bëri thirrje Ramës që të regjistrohet si kandidat për deputet dhe nëse e bën një gjë të tillë, mazhoranca është gati të ndryshojë ligjin elektoral dhe të mbledhë Parlamentin. Gjatë takimeve elektorale pasditen e djeshme në Shijak dhe Kavajë, z. Berisha informoi banorët e këtyre zonave se PS-ja po bën çmos për funksionimin e skenarëve të tyre për bllokimin e zgjedhjeve, duke u bërë thirrje që të shkojnë dhe të pajisen me kartat e identitetit. “Socialistët po bëjnë çmos për skenarët e tyre, por unë ju bëj thirrje që secili prej jush të marrë letërnjoftimin, ju bëj thirrje që çdo njeri prej jush, në familjet tuaja, në krushqinë tuaj, në rrethin tuaj shoqëror të bëni çdo gjë, në mënyrë që të gjithë të shkoni e të pajiseni me letërnjoftimet e reja ose pasaportat”, - u shpreh z. Berisha. Kryeministri akuzoi kryetarin e PS-së, Edi Rama, që të lërë mënjanë makthet e frikës së humbjes së zgjedhjeve dhe të lërë qytetarët të lirë që të marrin dokumentin e identifikimit dhe të votojnë si të barabartë. Me akuzën se kjo është një gjë e pashembullt në Evropë, Kryeministri i kërkoi Ramës që të distancohet nga skenarët dashakeqë dhe të shkojë e të regjistrohet në listën për deputetë. Berisha i kujtoi atij se në një kohë kur futet poshtë karriges së bashkisë, vetë është në ballë të fushatës elektorale. “Le t’ju lëmë atyre makthet dhe ankthet e disfatës. Zotëri, qëkur ti nuk pranon t’i prijsh listës së partisë tënde, po ngulesh në karrigen e kryetarit të bashkisë, ti u fakton shqiptarëve se nuk do zgjedhjet, ti do çdo gjë tjetër, por vetëm zgjedhje jo. Kjo është një gjë e pashembullt në Evropën demokratike. Nuk ka ndodhur kurrë që të hapen fushata asometrike, ku Kryeministri vihet në ballë të fushatës dhe kundërshtari i tij futet nën karrige. Por kjo është zgjedhja e tij”, - deklaroi z. Berisha. Opozita, vuri ai në dukje, është në pikën e saj më të çoroditur se kurrë ndonjëherë dhe ajo po rend sot nëpër Shqipëri si njeriu pa kokë. Berisha i bëri thirrje Ramës, “lëshoje karrigen e Bashkisë së Tiranës, shko dhe regjistrohu si kandidat për deputet”. “Nëse do mbledhim sërish Parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe dil në krye të garës elektorale, dil dhe priju anëtarëve dhe mbështetësve të tu, sepse kështu e do rregulli, kështu e do burrnia, kështu e do pluralizmi, kështu e do Shqipëria, kështu e do demokracia. Mos u fshih më pas karriges së bashkisë, sepse po turpëron vendin. Ndaj, deklaro që do të regjistrohesh si kandidat dhe ne thërrasim Parlamentin, ndryshojmë ligjin dhe në këtë mënyrë dil në shesh”, - tha Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë përmendi se jemi vend anëtar i NATO-s, ndërkohë do të marrim statusin e kandidatit në BE, do të lëvizim të lirë në Evropë. Duke folur për investimet e qeverisë në Shijak dhe Kavajë gjatë këtyre katër viteve, Kryeministri Sali Berisha foli për projektet e reja të qeverisë së pas 28 qershorit. “Ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë do të ecim përpara 4 herë më shumë. Ne do të ecim së bashku në rrugën që meritojmë. Në 4 vjet, ky vend do të kapë nivele zhvillimi, të cilat, absolutisht, syri dhe mendja jonë sot nuk i kap dot. Gjatë muajve që vijnë, janë gati për të filluar 104 hidrocentrale të reja, ndër të cilat projekti më i madh në Evropë, kaskada e Devollit. Janë për t’u zhvilluar portet, ndër më të mëdhatë në Mesdhe”, - tha z. Berisha. Por shtoi ai pyetjen, përse e kundërshtonte opozita rrugën Durrës-Kukës, cila ishte armiqësia dhe vreri i tyre për rrugën? Sipas Berishës, ishte një dhe vetëm një, sepse kjo rrugë i bën portet e Vlorës dhe të Durrësit, portet më të fuqishme të të gjithë rajonit. Kjo është e vërteta. Rruga, - pohoi Kryeministri, - i bën këto porte më të favorshmet për një territor nga Sofja, në Beograd dhe në Novi Pazar. “Ne i kemi këto porte për të gjithë. Shqiptarët, sigurisht, do të jenë përfituesit e parë. Ndaj të vazhdojmë së bashku mandatin e dytë, të ndërtojmë rrugë, shkolla, të rrisim pagat e pensionet”, - theksoi z. Berisha. Kurse para banorëve të Kavajës, Kryeministri bëri të ditur se ia dolëm t’i japim Shqipërisë një emër të mirë në botë, Shqipëria në NATO, Shqipëria me kërkesën e paraqitur me konsensus të plotë për kandidate për anëtare në Bashkimin Evropian, Shqipëria më e mira në Ballkan, në dhjetëshen më të mirë në botë në luftën kundër korrupsionit, qeveria e Sali Berishës, kampione për reformat në luftën kundër korrupsionit, Shqipëria, e dyta në botë për klimë e biznesit. “Ky qytet është djep demokracie, ky qytet është djepi i mençurisë demokratike, ndaj unë ju bëj thirrjen më vëllazërore; t’i bëjmë këto zgjedhje, më të bukurat, më të lirat, më të ndershmet, për të nderuar në radhë të parë sakrificën tonë, për të nderuar dinjitetin tonë, të fëmijëve tanë, fytyrën, nderin tonë para vendit dhe Evropës. Ndaj dhe le t’i marrim të gjithë letërnjoftimet e reja, të shkojmë të gjithë në votime”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha.