E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, dy ditë kohë për aplikimet e fundit

27/05/2009  Kalendari i plotë i takimeve dhe orareve të mbetura

Kandidatët nuk do të kenë më mundësinë të ndërrojnë degën e përzgjedhur të studimeve

Shkon drejt mbylljes procedura e aplikimit për regjistrimet paraprake pranë universiteteve italiane për vitin e ardhshëm akademik. Kandidatët e interesuar për t’u regjistruar pranë këtyre institucioneve të arsimit të lartë kanë edhe dy ditë kohë për të bërë regjistrimin paraprak. Por ky i fundit është i kontrolluar, çka do të thotë se këtë aplikim mund ta bëjnë vetëm ata kandidatë që duan të regjistrohen pranë listës së mëposhtme të universiteteve (kjo në oraret tashmë të përcaktuara). Mosparaqitja në oraret e caktuara në kalendarin e takimeve është eliminimin i menjëhershëm nga e drejta e përfitimit për ndjekjen e procedurave të mëtejshme të konkurrimit. Sipas të dhënave të publikuara nga institucionet tona të arsimit, janë rreth 4-5 mijë aplikime të evidentuara nëpërmjet plotësimit të formularit 1, që duan të ndjekin studimet e larta pranë shtetit Italian. Gjatë ditëve në vijim pritet të botohen edhe të dhënat e reja rreth procedurave që do të ndiqen për legalizimin e dokumenteve që do të paraqiten për bursë studimi në këtë shtet pranë agjencive rajonale kompetente të të drejtave të studimit, si dhe të dhënat për paraqitjen e kërkesave për vizë studimi universitar pranë Zyrës së Vizave.

Paraqitja e vlefshme

Aplikimet do të quhen të vlefshme vetëm kur plotësohen një sërë kriteresh të përcaktuara sipas rregullores së publikuar nga ambasada italiane. Konkretisht kërkohet që aplikantët të paraqiten personalisht, të pajisur me pasaportë sipas kalendarit të shpërndarë nga ambasada italiane për plotësimin dhe zyrtarizmin e regjistrimit paraprak. “Ju kujtojmë se për arsye organizative nuk do të jetë e mundur të priten studentët në ditë të ndryshme nga ato të përcaktuara. Ndaj lutemi për saktësi maksimale”, - pohohet nga burimet zyrtare të këtij institucioni. Për të kompletuar regjistrimin pranë këtyre universiteteve, kandidatëve do t’u duhet patjetër që brenda datës 10 gusht 2009, ora 12:00 (ata që e kanë tërhequr dëftesën e pjekurisë në verën e 2008-s) ta dorëzojnë dëftesën së bashku me certifikatën e Maturës Shtetërore, ndërsa ata që kanë dorëzuar dëftesën e pjekurisë që në fazën e parë do të dorëzojnë vetëm certifikatën e Maturës Shtetërore.

Njohja e gjuhës

Për të gjithë nxënësit që tashmë kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të huaja pranë universiteteve italiane kusht themelor pranimi është edhe njohja e gjuhës. Ndërkohë deklarohet se në raste të caktuara universiteti vetë ka të drejtë të kërkojë ridhënien e provimit të gjuhës, kërkesë së cilës aplikanti duhet t’i përgjigjet pozitivisht, nëse kërkon të marrë të drejtën e studimit. “Për t’u regjistruar në universitet në Itali, është e domosdoshme një njohje shumë e mirë e gjuhës italiane, e vërtetueshme nëpërmjet kryerjes së provimit ‘Celi 3’. Edhe pse rezultoni të keni kaluar me sukses provimin ‘Celi 3’, gjithsesi nëse universiteti italian që keni përzgjedhur do të vendosë që ju ta rijepni provimin e gjuhës, do t’ju duhet ta respektoni këtë vendim, pasi çdo universitet, sipas rregullores së Ministrisë italiane të Arsimit, është i pavarur në këtë vendimmarrje. Nëse do të ketë një datë të tillë, provimi për ju, apo provim dege, jeni të lutur të konsultoni në faqen ëëë.miur.it, ku pasqyrohen rregullat për secilin universitet italian”, - theksohet në procedurën e aplikimit për regjistrimet paraprake.

Pranimi i studentëve

Sipas rregullores së publikuar, është përcaktuar se për t’u regjistruar në universitetet italiane kërkohen të njëjtët tituj studimi si dhe për regjistrimi në universitet shqiptare. Për këtë arsye, që në fazën e regjistrimit paraprak, është e domosdoshme të bashkëngjitni fotokopje të formularit të regjistrimit në dy provimet me zgjedhje, të domosdoshme për regjistrimin në universitetet shqiptare (formulari A-1). Ata që e kanë kryer shkollën e mesme, detyrimisht duhet të paraqesin dëshminë e provimeve me zgjedhje (Matura Shtetërore). Kandidatët që nuk do të paraqesin këtë dokument, do të eliminohen menjëherë nga procesi i verifikimit.

Titujt e studimit

Titujt e studimit duhet të jenë të përkthyer në italisht, të vërtetuar nga noteri dhe të legalizuar pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare. Gjithashtu kërkohet firma e drejtorit të shkollës që i ka lëshuar, e cila duhet të vërtetohet nga drejtori i drejtorisë arsimore të rrethit, firma e të cilit të vërtetohet nga funksionari i Ministrisë së Arsimit. Ky vërtetim duhet të përkthehet në italisht dhe të legalizohet nga Ministria e Jashtme shqiptare. Kjo duhet të faktohet me origjinalet e dy fotokopjeve të plota të titullit të studimit dhe të përkthimit përkatës të të gjitha faqeve, përfshirë ato ku janë vendosur vulat e drejtorisë arsimore e të Ministrisë së Jashtme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›