Disa fakte pikante mbi debatin e organizuar gjatë dy ditëve në Kuvend
Deputetët e Kuvendit të ri debatuan për dy ditë me radhë në lidhje me programin e qeverisë së re.
U duk që kishte një përpjekje të opozitës për të mbajtur peng debatin, në mënyrë që Rama të mos votohej dhe të mos e niste vizitën në Bruksel si kryeministër.
Deputeti Erion Braçe ka mbledhur një seri faktesh pikante nga debati dhe i sjell në një postim në FB.
-95% e fjalimeve të deputetëve të opozitës ishin të adresuar ndaj Edi Ramës apo një pjese të ministrave personalisht;
-95% e fjalimeve të deputetëve të opozitës ju referuan arritjeve të Qeverisë së Mundur;
-100% e fjalimeve të deputetëve të opozitës nënvizuan qartë faktin se qeverisja e tyre kish qenë e mirë dhe populli ishte ai që kish zgjedhur gabim;
-Sali Berisha nënvizoi për herë të parë faktin se deri dy javë para ditës së zgjedhjeve, sipas sondazheve, ai kishte 2 deputetë më shumë dhe menjëherë pas premtimeve antiglobaliste të Ramës, ai kishte humbur shumë; sipas tij, 70% e shqiptarëve ishin ndikuar nga ato premtime;
-Të gjitha gratë e PD-së, Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Albana Vokshi, etj., etj., nuk drejtoheshin asnjëherë me ju; nuk di nëse në shkollë kanë arritur të mësojnë etikë, po ja që kështu ishte;
-100% e deputetëve të opozitës që folën, i referoheshin Berishës dhe asnjëherë nuk përmendën kryetarin e tyre, Lulëzim Bashën;
-Deputetët e opozitës ishin tërësisht të paorganizuar e tërësisht të përçare; Halimi i kërkonte Metës që ministrat të mos merrnin fjalën, Berisha i kërkonte Metës që ministrat të flisnin; Mima thoshte keni reflektuar ato që keni premtuar në fushatë, por si bëni dot, Bylykbashi thoshte skeni reflektuar gjë, etj., etj;
-Jozefina Topalli, ish- kryetarja e Kuvendit, i binte me dorë tavolinës dhe dirigjonte rreshtin e saj në veprime zhurmëmëdha kundër Ramës gjatë fjalimit të tij, veprim për të cilin, kur ishte kryetare, ka nxjerrë jashtë apo ka dënuar deputetë të opozitës së atëhershme;
-Hakërrimi i deputetit Kastriot Islami pas seancës, ndaj Edi Ramës, kur ai kish hyrë mes deputetëve për ti takuar, shkruan Braçe./ep