Të paktën dikush nga mazhoranca tregon respekt/ Spiro Ksera i dorëzon detyrën Erion Veliajt
Të paktën një drejtues i mazhorancës së vjetër është kujtuar që të tregojë respekt në dorëzimin e detyrës.
Është Spiro Ksera, që ka prezantuar në një ceremoni të posaçme ministrin e ri, Erion Veliaj.
Ceremonia ishte e mbushur me vlerësime të ndërsjella, ndërsa Ksera tha se do të japë kontributin e tij nëse kjo do i kërkohet nga ministri.
I uroj zotit Erjon Veliaj punë të mbarë, suksese, të jetë i palodhur dhe në shërbim të qytetarëve shqiptare, sidomos të atyre që jetojnë në varfëri ekstreme, që kanë probleme të familjes, të dhunës, deklaroi Ksera.
Edhe Veliaj e nisi fjalimin e tij me falënderime.
Të falënderoj për shërbimin dhe gjithçka keni bërë në këtë ministri. Po futemi në një fazë të re, do mirëpresim gjithë ekipin rinor nga MTKRS dhe ekipin nga ministria e Arsimit dhe sesi do të transformohet ISSH, por do të kemi kohë që të dëshmojmë në vijim se çfarë ndryshime do bëjmë në këtë dikaster, tha Veliaj.
Ky dikaster do pësojë ndryshime, duke marrë drejtori dhe përgjegjësi nga disa ministri të tjera. Ajo nuk do jetë më Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, por e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë./ep