Disa rrëfime gjatë viteve (plus 2 shishe uiski) për takimin Nano-Milosheviç në Kretë në 97
Vajza e Sllobodan Millosheviçit, Marija, duke folur në një intervistë për gazetën serbe Standard, ka përmendur dje edhe ish-kryeministrin shqiptar Fatos Nano. U mbajt samiti i Kretës më 1997-ën. Aty Kryeministri shqiptar Fatos Nano deklaroi se Kosova është një çështje e brendshme e Serbisë – ka thënë ajo.
Takimi i Fatos Nanos me Sllobodan Millosheviçin në vjeshtën e vitit 97, gjatë Samitit të Kretës, është një nga enigmat politike të ish-kryeministrit socialist. Biseda e udhëheqësit të Tiranës me atë të Beogradit, në një kohë tensioni të fortë në Kosovë dhe në prag të shpërthimit të konfliktit të armatosur, asnjëherë nuk është zbardhur. (shumë e quajtën Nanon asokohe tradhtar).
Një dëshmi publike ka dhënë edhe vetë Millosheviç gjatë një interviste për gazetën ruse Pravda në 2001. Unë pata një takim të shkëlqyer kokë më kokë me Fatos Nanon, Kryeministrin e Shqipërisë. Ne diskutuam për hapjen e kufijve dhe ai tha se Kosova është një problem i brendshëm i Serbisë….
Një publicisti me zë në Greqi (N.Marakis) njohës i mirë i çështjeve diplomatike ka zbardhur vite më parë disa detaje të atij takimi në një intervistë në gazetën To-Vima:
Pyetjes: A është e vërtetë se lindja e deklaratës së përbashkët të takimit ishte e vështirë? – ai iu përgjigj: Akoma më shumë; ishte tejet e vështirë. Për një çast u mendua të mos lëshonim fare deklaratë shtypi. Në mendjen e propozuesve të taktikës së toneve të ulëta ishin marrë parasysh edhe reagimet e amerikanëve, sepse Uashingtoni nuk ishte treguar entuziast për perspektiven e takimit të z.Millosheviç dhe z.Nano….
Ndërsa pyetjes: A është e vërtetë se takimet Milosheviç, Gligorov dhe Nano ishin mjaft të suksesshme dhe do sjellin uljen e tensionit në Kosovë…, Marakis i përgjigjet:
Po, për këtë na bindin, veç të tjerave, edhe dy shishe uiski, të cilësisë shumë të lartë, të cilat i boshatisën z.Millosheviç dhe z.Nano. Nëse do kundërshtonin njeri-tjetrin, nuk mund të kishin kënaqësinë për të pirë uiski, por do të pinin vetëm nga një kafe. Fakti është se kuadri i marrëveshjes midis dy liderëve është më i gjerë nga ai që zbulojnë deklaratat e tyre publike. Rezultati konkret i bisedimeve është që ata elemente të cilët nxisin tensionin në Kosovë, nuk do të mbështeten nga Tirana….
http://respublica.al/artikuj/2012/08/22/disa-rrefime-gjate-viteve-plus-2-shishe-uiski-per-takimin-nano-miloshevic-ne