Veliaj: Berisha, frikë nga vota e emigrantëve. PS, e hapur për koalicion edhe me AK dhe partinë e Topit
Një ditë pas takimit të kryeministrit Berisha me një delegacion emigrantësh nga Greqia, ku dhe u premtoi se do të kenë të drejtën e votës, sekretari për emigracionin në PS, Erjon Veliaj, shprehet si ai ka frikë nga vota e emigrantëve.
Veliaj, duke folur për Neës 24, ka thënë se Berisha ka refuzuar dy kërkesa të Partisë Socialiste, që do të bënin të mundur votimin e emigrantëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës.
Për më tepër, Veliaj tha se Berisha gjatë këtyre viteve që është në pushtet, nuk ka bërë asgjë për emigrantët, duke mos ndërtuar asnjë shkollë apo qendër kulturore jashtë vendit.
Kemi të bëjmë me një njeri që si në partinë e tij, si në jetën e tij personale dhe si në shtetin që menaxhon, nuk ka pikë afeksioni për emigrantët, se as i kupton, as nuk i ndjen dhe as nuk i do. Ky është thelbi i kësaj historie. Besoj se nuk ka emigrantë sot, që e ha këtë premtim dhe këtë gënjeshtër gushti për votën e emigrantëve, tha Veliaj.
Ndërkohë, duke folur për aleancat e mundshme parazgjedhor, Veliaj ka thënë se PS është e hapur të bashkëpunojë me çdo forcë që kërkon rrëzimin e këtij pushteti, duke mos përjashtuar as Aleancën KuqeZi apo FRD-në, e njohur si partia e ish-presidentit Bamir Topi.