E Diel, 1 Nëntor 2026

Disa shkencëtarë arrijnë t'ua ndryshojnë aromën luleve

MAJAMI - Tashmë është bërë e mundur t'i jepet një luleje aroma që nuk e ka, ose të bëhet më e ëmbël aroma e saj, duke manipuluar gjenet, njoftuan sot disa shkencëtarë amerikanë. Një ekip shkencëtarësh të institutit të Ushqimeve dhe shkencave bujqësore të Universitetit të Floridës zbuluan gjenet e esencave kimike që përcaktojnë aromën e një luleje, duke hapur kështu rrugë të reja për "ndryshimin" ose "forcimin" e përbërësve të një arome. "Për shumë kohë, kultivuesit janë përqendruar në pamjen e lules, madhësinë, ngjyrën dhe kohëzgjatjen e lulëzimit të saj, por aroma është lënë mënjanë", deklaroi David Clark, profesor i hortikulturës (shën i përkth. degë e bujqësisë që përfshin kulturën e perimeve, luleve, pemëve dhe shkurreve dekorative) në universitetin e Floridës. Në të ardhmen, mund të zgjedhim mes një shumëllojshmërie aromash ose edhe të rrisim lule pa aromë, shpjeguan shkencëtarët. Clark dhe shkencëtarë të tjerë analizuan për më tepër se 10 vjet gjenet e 8 000 luleve petunia gjë që u bëri të mundur të zbulonin se gjeni i aromës së vajit të trëndafilit është i njëjti që i jep shijen e këndshme domates. Duke manipuluar këtë gjen, shkencëtarët kanë arritur të krijojnë domate me një shije më të mirë, si dhe trëndafila me një aromë më të qëndrueshme. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›