PD rimbledh firmat për ndryshimet kushtetuese
Ekzistenca e 4 deputetëve në dy listat, detyron demokratët të mbledhin përsëri firmat
Kundërshtimi që përfaqësuesit e partive të vogla i bënë dy ditë më parë ekzistencës së firmave të katër deputetëve të djathtë në dy nismat ligjore për ndryshimin e Kushtetutës, ka vënë në lëvizje demokratët, për të bërë korrigjimin e duhur. Megjithëse gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve një shqetësim i tillë u kalua me mospërfillje nga të djathtët, dje, pas një konsultimi edhe me specialistë të Jurisprudencës, nismëtarët e këtyre ndryshimeve kushtetuese për të shmangur një ankimim të mundshëm të kësaj çështjeje në Gjykatën Kushtetuese nga partitë e vogla, kanë vendosur që të mbledhin edhe një herë firmat nga e para për të bërë rakordimin e duhur, ku një deputet të mos jetë firmëtar në dy nismat njëkohësisht. Burime pranë grupit parlamentar demokrat bënë të ditur dje për gazetën se në mesditë janë thirrur të gjithë deputetët firmëtarë, për të bërë edhe një herë firmosjen sipas drafteve respektive. Janë pikërisht deputetët Eris Hoxha, Ferdinant Xhaferaj, Petrit Gjoni dhe Nikollë Lesi, deputetët që kanë firmosur fillimisht paketën e ndryshimeve të propozuar nga grupi i PD-së, e cila njihet ndryshe edhe si "paketa Trashani" për shkak se u prezantua prej saj, dhe më pas kanë pranuar që të hedhin firmën e tyre edhe në amendamentin shtesë, për zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Nisur nga fakti se "paketa Trashani" ka një mbështetje më të vogël, vetëm 30 firma kundrejt 36 firmave që ka amendamenti për zgjedhjen e presidentit nga populli, 4 deputetët e mësipërm kanë vendosur që të tërheqin firmat e tyre nga nisma e dytë, për të mos rrëzuar nismën e parë, e cila ka ardhur si propozim zyrtar i grupit parlamentar. Dje këtë e ka bërë vetëm deputeti demokrat, Eris Hoxha, ndërsa tre deputetët e tjerë për shkak të mos prezencës së tyre pritet ta bëjnë një gjë të tillë sot, ose nesër paradite, për t'i hapur rrugë më pas miratimit të këtyre ndryshimeve në seancën e pasdites në Kuvend. Por kjo ka sjellë si detyrim që edhe deputetët e tjerë firmëtarë të hedhin dhe një herë firmat e tyre. Por nga ana tjetër një veprim i tillë pritet të hapë një debat tjetër pasi, sipas Rregullores së Funksionimit të Kuvendit dhe Kushtetutës, nismat duhet të rikalojnë edhe një herë në mënyrë formale në Komisionin e Ligjeve, ku anëtarët e tij të njihen dhe një herë me mbështetësit e vërtetë të tyre. Megjithatë, burime pranë Komisionit të Ligjeve bëjnë të ditur se, një detyrim i tillë do të tejkalohet si një element sekondar në raport me vërtetësinë e firmave në dokumentet përkatës. Ndërkohë që gjatë mbledhjes së fundit të Komisionit të Ligjeve, deputetët Spiro Peçi dhe Spartak Braho e vlerësuan ekzistencën e emrave të katër deputetëve në dy listat, si antikushtetuese. Ndërkohë që deputetët e djathtë në komision, u mbrojtën duke theksuar se neni 177 i Kushtetutës nuk e pengon një gjë të tillë.