"Remzi Hoxha", kreut të Tatimeve i hiqet pasaporta
Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi në gjykatë ndalimin e daljes jashtë shtetit të Arben Sefgjinit. Akuza u bazua në Konventën Evropiane
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda dorëzon në gjykatë kërkesën për bllokimin e pasaportës së drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar të ish-drejtuesit të Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro, pasi akuzohen se kanë rrëmbyer e më pas torturuar biznesmenin kosovar, Remzi Hoxha. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmojnë për "Shekullin" se pas dorëzimit të dosjes penale me nr.449 pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda me të pandehur: Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron, Avni Koldashin dhe Budjon Meçen, është dorëzuar kërkesa për caktimin e një mase shtrënguese ndaj të pandehurve. "Dorëzimi i dosjes penale për gjykim dhe moscaktimi i masës së sigurisë "arrest me burg" për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit në vitin 2003, kur të pandehurit janë arrestuar për herë të parë, na ka detyruar të kërkojmë pranë gjykatës caktimin e një mase shtrënguese të parashikuar në nenin 232 të Kodit të Procedurës Penale",-thuhet nga burimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Mesa duket, drejtori aktual i Tatimeve dhe 3 të akuzuarit e tjerë për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës do të gjykohen në gjendje të lirë.
***
Masa e vetme e kërkuar prej prokurorisë është ajo e bllokimit të pasaportës për të pandehurin që mban ende postin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, duke evituar kështu çdo mundësi largimi të tij në rrugë legale. Me shqyrtimin e kësaj kërkese, pritet që gjykata brenda pak orëve të dërgojë në të gjitha pikat e kalimit kufitar foton dhe numrin e pasaportës së drejtorit të Tatimeve, Arben Sefgjini. Gjithashtu, edhe për dy ish-drejtuesit e SHIK-ut, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe është kërkuar po kjo masë sigurie, ndërsa për të pandehurin Ilir Kumbaro, i cili nuk është arrestuar asnjëherë nga forcat e policisë së Shqipërisë është kërkuar masa e sigurisë "arrest me burg" dhe shpallja e emrit të tij në listën e personave në kërkim ndërkombëtar. Kështu, ditën e hënë mësohet se në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritet tëhidhet në short elektronik dosja penale për gjykimin nga themeli dhe kërkesat penale për caktimin e masave të sigurisë ndaj të pandehurve. Mësohet se brenda javës tjetër pritet të fillojë edhe shqyrtimi gjyqësor i çështjes nga themeli, menjëherë pas caktimit të pesëshes gjykuese të kësaj gjykate për zhdukjen e Remzi Hoxhës.
***
Ndërkaq, mësohet se baza ligjore ku prokurori i çështjes Xhevat Hana është mbështetur në ngritjen e akuzës ndaj katër të pandehurve është neni 2 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ky nen zhvesh katër ish-zyrtarët e shtetit nga "imuniteti" që i jepte puna në rast tejkalimi të kompetencave. "Zhdukja me forcë do të kuptohet, arrestimi, burgosja, rrëmbimi ose çdo formë tjetër heqje lirie nga agjentët e shtetit apo persona të tjerë a grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit, pasuar nga mohimi i pranimit të heqjes së lirisë ose nga fshehja e fatit të personit të zhdukur, a vendit ku gjendet ai, duke e shkëputur nga mbrojtja e ligjit",-thuhet në Nenin 2 të Konventës Evropiane, ku mendohet se prokurori Hana është bazuar në ngritjen e akuzës. Në interpretimin e deri para pak kohëve, ish-zyrtarët e SHIK-ut në vitin 1995 nuk mund të akuzoheshin për rrëmbim personi, pasi ata kanë qenë në detyrë kur e kanë marrë Remzi Hoxhën, por Konventa Evropiane e ratifikuar prej Shqipërisë parashikon ngritjen e një akuze të tillë.
Krimet e Rënda rrezikonin mbylljen e hetimeve, për shkak të përfundimit të afateve
Afatet e hetimit shpejtuan
dosjen e Hoxhës drejt gjykatës
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se edhe këtë herë ka qenë në dilemë për ta dërguar çështjen e Remzi Hoxhës në Gjykatë. Por koha nuk premtonte, pasi tre të pandehurve u mbeteshin edhe pak ditë nga afatet e parashikuara të hetimit. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se shkaku i delegimit të dosjes për gjykim, është bërë edhe "rreziku" i pushimit të akuzave ndaj katër të pandehurve pasi i mbaronin afatet e hetimit të parashikuar në legjislacionin shqiptar, që janë tre vite. Ndërkohë, vetë tre të pandehurit, gjatë seancave të marrjes në pyetje kanë mbajtur qëndrim mohues për ngjarjen e rrëmbimit dhe më pas zhdukjen e Remzi Hoxhës dhe torturimit të Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt. Sipas akuzës, e vetmja provë shkresore e faktuar që implikon katër të pandehurit është marrja e makinës dhe identifikimi i tyre nëpërmjet targës së makinës së SHIK-ut, që ishte TR 2449 C dhe që i përkiste qendrës së SHIK-ut në kryeqytet. Ndërkaq, të gjitha shkresat dhe urdhrat për rrëmbimin e Remzi Hoxhës janë zhdukur nga arkivat e Shërbimit Informativ Kombëtar. Gjatë muajve të fundit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mundur të gjejë në këto arkiva vetëm detaje për këto shoqërime në vitin 2005, ndërsa të dhënat kryesore janë zhdukur. Familjarët e Remzi Hoxhës akuzojnë për këtë çështje ish-kreun e Shërbimit Informativ, Bashkim Gazideden, sipas të cilëve është personi që e di se ku ndodhen eshtrat e familjarit të tyre të rrëmbyer nga SHIK-u tetorin e vitit 1995. F.Vezaj
KONVENTA EVROPIANE
NENI 2
Zhdukje me forcë do të kuptohet, arrestimi, burgosja, rrëmbimi ose çdo formë tjetër heqje lirie nga agjentët e shtetit apo persona të tjerë a grupe personash që veprojnë me autorizimin, mbështetjen ose miratimin e shtetit, pasuar nga mohimi i pranimit të heqjes së lirisë ose nga fshehja e fatit të personit të zhdukur, a vendit ku gjendet ai, duke e shkëputur nga mbrojtja e ligjit.
BOX
LIGJI I CAKTIMIT TË MASËS
Neni 233
Ndalimi i daljes jashtë shtetit
1. Me vendimin që urdhëron ndalimin e daljes jashtë shtetit gjyqtari urdhëron të pandehurin të mos largohet nga territori shtetëror shqiptar pa autorizimin e tij.
2. Gjykata cakton detyrat e nevojshme për të siguruar zbatimin e vendimit dhe për të ndaluar përdorimin e pasaportës e të dokumenteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit.